LajmeMaqedoni

Arritja e marrëveshjes me Bullgarinë, të përfshijë në vetvete edhe fillimin e bisedimeve me BE-në tha Osmani

Për të gjitha gjashtë pikat e protokollit dypalësh midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, të nxjerra nga Samiti i Bërdos, ka hapërisë për gjetjen e një zgjidhjeje dhe do të ishte vërtet për të ardhur keq nëse e humbasim këtë mundësi, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në intervistën e sontme për televizionin “Kanal 5”.

Ai informoi se aktualisht Qeveria është duke punuar në përgjigjen e propozim-zgjidhjeve të Sofjes në lidhje me pesë çështjet, por paraprakisht duhet të mblidhet Komisioni historik. Osmani nuk tregoi konkretisht nëse protokolli me Bullgarinë do të nënshkruhet në fund të këtij muaji ose në fillim të nëntorit.

“Nëse arrihet marrëveshje për ato pesë pika. Duhet të ketë edhe një pikë tjetër, e ajo është të ketë mbështetje nga Bullgaria për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në një datë të caktuar. Duhet të ketë “pesë plus dy pikë” që të ketë marrëveshje. Nëse ndodh kjo, atëherë në komisionin ndërqeveritar duhet ta miratojmë atë marrëveshje, i cili do të ratifikohet nga të dy qeveritë. Në të njëjtën kohë, po diskutohet pozicioni i atij udhërrëfyesi në procesin evropian. Dhe ne konsiderojmë se propozimi portugez është zgjidhja”, tha Osmani.

Arritja e marrëveshjes me Bullgarinë përfshin në vetvete edhe fillimin e negociatave të vendit tonë me BE-në, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, i cili tha se është e tepërt çështja e mundësisë për të arritur një marrëveshje me Sofjen pa filluar negociatat me BE-në.

“Nuk do të arrijmë marrëveshje, nëse pjesë e paketës nuk është edhe vendimi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”, theksoi Osmani.

Ai informoi se para se të dërgohej përgjigjja e Bullgarisë për pesë çështjet, duhet të mblidhet Komisioni historik, për të cilin Osmani shprehu pakënaqësi me punën e tij dhe qasjen e imponimit të një të vërtete historike.

“Shpresoj që takimi i Komisionit historik të mbahet me prezencë fizike, dhe jo onlajn. Sepse mendoj se me bisedime të drejtpërdrejta dhe të hapura do të jetë e mundur të arrihen ato zgjidhje në mënyrë më aktive. Ky është një moment kaq i rëndësishëm dhe unë mendoj se ne të gjithë duhet të jemi në nivelin e detyrës dhe të përpiqemi të arrijmë deri te ezgjidhjet”, tha Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme theksoi se në samitet e BE-së, 26 shtete anëtare thonë se janë “pro” fillimit të negociatave me Unionin, dhe e vetmja që thotë “jo” në samitet e fundit është Republika e Bullgarisë.

Osmani potencoi se e gjithë energjia e Qeverisë është e orientuar për të arritur një marrëveshje me Bullgarinë dhe në samitin e dhjetorit për të vendosur që Republika e Maqedonisë së Veriut t’i fillojë negociatat me Unionin. Nëse nuk arrijmë deri në dhjetor, vazhdojmë mëtej. Kjo është një maratonë dhe ne nuk kemi asnjë korsi tjetër për të vrapuar. Siç u bëmë anëtarë të NATO-s, kështu do të bëhemi edhe anëtarë të BE-së”, tha Osmani.

Related Articles

Back to top button
Close
Close