
Ardhja e mërgimtarëve i ka dhënë jetë Tetovës. Rrugë të mbushura, kafene dhe restorante plot, butiqe e shitore, të gjithë të kënaqur nga puna që bëjnë me ardhjen e mërgimtarëve në vendlindje.
TVM2 anketoi disa mërgimtarë, të cilët theksuan se nuk ka pushim më të mirë se në vendlindje. Ata kërkuan nga rinia që të qëndrojnë në vendlindje, pasi sipas tyre edhe këtu ka punë e ka shpresë.
“Çdo herë këtu kalojmë mirë. Nuk mund që vendlindja të mos jetë mirë. Përherë është mirë. Të rinjtë duhet të punojnë dhe të rrinë këtu. Më mirë se në vendlindje nuk ka askund.”, – tha një mërgimtar.
“Shumë mirë është, na mungon shumë, por këtu nuk ka shumë punë. Po shumë mirë është. Shpresojmë të rinjtë punësohen këtu se atje është problem, se vendlindja është vendlindje, ne shkojmë nga zori e jo nga qejfi.”, – tha një mërgimtare tjetër.
“Shumë mirë, më mirë se në vendlindje nuk ka. Përshtypje… Sa e shoh mirë është, kanë filluar të ndërtojnë ndonjë rrugë, siç duket mirë është duke shkuar. Të rinjtë nuk duhet ta lënë vendlindjen se edhe këtu ka punë,por mendja u rrinë në mërgim se atje ka me shumë, por nuk ka më shumë.”, – u shpreh një mërgimtar.
“Shumë mirë i kam kaluar pushimet. Mund të them se 60% është më mirë Tetova nga kohërat e mëparshme.”, – u shpreh një mërgimtar tjetër.
Ndërkohë edhe Komuna e Tetovës po feston Verën Tetovare me moton “Festojmë në vendlindje”. Me ardhjen e mërgimtarëve, komuna e Tetovës ka organizuar disa koncerte, që do jenë sonte dhe disa net të tjera për të festuar bashkë me mërgimtarët dhe tetovarët këtu në sheshin “Iliria”.
Ndërsa, ardhja e mërgimtarëve rrit edhe fluksin e veturave në komunikacion. Nga SPB-ja, Tetovë, thonë se duhet pasur kujdes, veçanërisht vozitësit se ku parkojnë veturat, pasi bllokimi i komunikacionit mund dikujt t’i kushtojë edhe me jetë.
“Shfrytëzoj rastin të apeloj deri tek qytetarët,që së paku këto javë që kanë mbetur, të mos i parkojnë veturat e tyre vend e pa vend, për arsye se mos thashtë Zoti të kemi nevojë për intervenim të Zjarrfikësve apo të Ndihmës së parë dhe mund të bëhen shkak për të mos intervenuar. Të kenë kujdes ku i parkojnë veturat dhe parkingu të bëhet vetëm në vende të përshtatshme për parking.”, – u shpreh zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Ndërsa komuna e Tetovës, i ka hapur disa oborre të shkollave të mesme e fillore për parkim të veturave falas, me qëllim që të ulë kaosin gjatë kësaj periudhe ku në vendlindje janë edhe mërgimtarët.



