
Arben Fetai, zyrtari që pak javë më parë u promovua si përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët (ASH) në koalicionin VLEN, po përballet me një izolim të thellë brenda strukturës politike që vetë e mbështeti. Sipas burimeve të afërta me zhvillimet në VLEN, Fetai është reduktuar në një figurë simbolike pa ndikim dhe po mbahet peng nga liderët kryesorë të koalicionit – Bilall Kasami, Izet Mexhiti, Xeqirja Ibrahimi dhe Adnan Azizi.
Arben Fetai, që në opinionin publik u perceptua si përfaqësues i ASH-së në qeverinë aktuale, po përballet me një trysni në rritje nga brenda koalicionit VLEN. Ai, sipas informacioneve, kujtohet vazhdimisht se nuk ka sjellë asnjë anëtarësi reale nga Aleanca për Shqiptarët dhe për këtë arsye po i zbehet çdo post që pretendonte të ruante.
Hapësira e tij politike çdo ditë po ngushtohet. Burime të sigurta brenda strukturave të VLEN-it konfirmojnë se Fetai merr ultimatume të drejtpërdrejta: nëse nuk arrin të ketë ndikim real mbi trupin votues të ASH-së, edhe posti i tij aktual në qeveri do të vihet në pikëpyetje.
Ky presion ndaj tij, është një taktikë për ta margjinalizuar politikisht dhe për ta nxjerrë jashtë loje për zgjedhjet lokale të vjeshtës. Në komunën e Sarajit, ku dikur përflitej se do të mbështeste kandidaturën e Bashkim Bakiut, gjithçka duket se ka rënë poshtë. Lëvizja Besa e refuzon çdo bashkëpunim me Bakiun, duke e konsideruar si “tradhtar” që dikur braktisi partinë dhe u rreshtua me ASH-në. Kujtojmë se Besa e kishte kandiduar Bakiun për kryetar të Sarajit në zgjedhjet e kaluara, por kishte pësuar fiasko përballë Blerim Bexhetit.
I papeshë dhe pa ndikim në vendimmarrje, Arben Fetai po margjinalizohet në çdo segment të organizimit politik. Edhe për zgjedhjet lokale, ai mësohet të ketë hequr dorë nga çdo tentativë për të kandiduar njerëzit e tij në ndonjë komunë, duke e pranuar de facto tërheqjen nga terreni elektoral.
Në kushtet kur zëri i tij politik është zbehur, mbetet të shihet nëse Fetai do të arrijë të mbijetojë politikisht brenda një koalicioni që tashmë e sheh si barrë, jo si vlerë të shtuar.



