
Gjykata e Apelit në Shkup ka sjellë aktgjykim të formës së prerë, me të cilin pjesërisht e ka pranuar ankesën e Ziadin Selës dhe e ka rritur shumën e dëmshpërblimit që Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’ia paguajë për dëmin jomaterial të pësuar nga sulmi në Kuvend më 27 prill 2017.
Sipas aktgjykimit, shteti obligohet t’i paguajë Selës gjithsej 7.800.000 denarë për shkeljen e të drejtave personale dhe dëmtimin e shëndetit fizik e psikik. Siç raporton “Skopje1”, arsyetimi i Gjykatës së Apelit është pothuajse identik me atë të Gjykatës Civile, por Apeli ka vlerësuar se dëmshpërblimi i caktuar fillimisht ishte i pamjaftueshëm.
Në arsyetim thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk e ka vlerësuar mjaftueshëm seriozitetin e dëmit dhe nuk i ka marrë parasysh të gjitha rrethanat që ndikojnë në përcaktimin e një kompensimi të drejtë.
Nga shuma totale, Apeli ka caktuar:
1.500.000 denarë për dhimbjet fizike;
900.000 denarë për frikën e përjetuar;
3.000.000 denarë për dhimbjet shpirtërore për shkak të zvogëlimit të aftësisë së përgjithshme jetësore;
600.000 denarë për dhimbjet shpirtërore nga shpërfytyrimi;
600.000 denarë për cenimin e dinjitetit personal;
600.000 denarë për cenimin e nderit;
600.000 denarë për cenimin e reputacionit.
Gjykata e Apelit e hodhi poshtë si të pabazuar ankesën e Avokaturës së Shtetit, e cila kishte kërkuar shfuqizimin e aktgjykimit dhe rigjykimin e lëndës.
Në padinë e tij, Ziadin Sela kishte kërkuar gjithsej 61 milionë denarë si kompensim për dëmin e pësuar.



