KulturëLajmeMaqedoni

Antigona Seferi, gruaja me beteja të ashpra me kancerin absolvente për herë të dytë

Antigona Seferi është njëra nga pjesëtaret e grupit ‘’Jemi dashuri’’ ku gratë së bashku luftojnë kancerin, dhe i japin kurajë njëra- tjetrës. Është një grua frymëzuese që të le përshtypje me energjinë e saj të mirë, me etjen për jetë që ka. Është e vërtetë se pas disa sëmundjeve njerëzit mësojnë më së miri ta shijojnë jetën dhe të marrin prej saj çdo mundësi. E tillë është Antigona e cila është nga Kërçova por jeton dhe punon në Shkup. Ajo po diplomon për herë të dytë dhe me këtë rast me lexuesit ka ndarë një letër me të cilën edhe një herë bëhet burim frymëzimi për forcën, mençurinë, bukurinë dhe guximin që ka. 

‘’Të përfundosh një cikël studimesh në kohën që po jetojmë, ndoshta edhe nuk është diçka e jashtëzakonshme kur t’i mendosh mundësitë e shumta që ofrohen sot dhe deri këtu gjithçka është normale. Por kjo tek unë ndodhi në kohën e furtunave më të ashpra që jeta kishte rezervuar për mua, për ëndrrat që unë kisha thurur kur vendosa nga e para t’i futem një pune jo të lehtë, hapat e së cilës u rrënuan akoma pa i filluar, këtu e gjithë puna ndryshoi.

Sapo kishin kaluar dy muaj nga fillimi i rrugëtimit tim të ri, lajmi i keq më goditi si rrufe dhe në vend të ëndrrave unë do të luftoja me sëmundjen më të vështirë të shekullit e cila tek unë fiku çdo dëshirë, vullnet, ëndërr e gëzim, ne atë moment të gjitha dëshirat e mia u shndërruan në zero dhe as që e mendoja se do të kthehem në normalitet ndonjëherë e aq më pak se unë do të luaj të gjitha rolet e një njeriu normal, të luaja rolin e nënës, të nëpunëses, të studentes dhe më të vështirën të pacientes që do të luftoj me jetën në të njëjtën kohë, të gjitha këto në mendimet e mia i shihja si gjëra të paarritshme.

Kishte momente që unë e humbisja durimin dhe bëhesha gati të dorëzohem, por falë mbështetjes se disa personave të cilët tek unë shihnin akoma dritë e vullnet për jetën dhe vazhdonin të më inkurajonin që të ndjek rrugën për tek e cila isha nisur më parë, në ato momente ata më jepnin forcë për të hedh hapa të rinj me tej dhe unë sot falë fjalëve të tyre ngadalë po i afrohem fundit të studimeve.

Ndoshta unë nuk arrita ta realizoj të gjithë atë që e kisha planifikuar e synuar, por ndoshta unë arrita shumë më shumë se aq. Me ndihmën e Zotit unë arrita të kuptoj se po të ekzistoj vullneti dhe dëshira nuk ka gjë që nuk arrihet, kuptova se me përkushtim dhe punë kapërcehen dhe ndërtohen male.

Nuk mundem të mos e shpreh publikisht mirënjohjen për ata që u bënë shtyllë e fortë për mua dhe unë me vullnetin tim e dëshmova besimin që ata patën tek unë. Ju falënderoj që më mundësuat të shoh përtej asaj që mendoja, profesoreshë Bukurije, Agim, Rilind, Teuta, Blerta, Neritan, Ajsun, kolege të shumta me të cilat kemi gati 20 vite diferencë, por që më bënë pjesë të tyren pa dallim, si edhe shumë të tjerë të cilët i hasa gjatë rrugëtimit tim të vështirë të këtyre katër viteve studime, uroj një ditë t’ua kthej për të mirë çdo fjalë e ndihmë që ma keni ofruar.”

Related Articles

Back to top button
Close
Close