RajonTopLajm

Ankohet Kosova: Serbia nuk jep informacione për arrestimin e Lulzim Halilit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e ka konfirmuar  se mbrëmjen e 22 korrikut 2025, shtetasi i Republikës së Kosovës, Lulzim Halili, është arrestuar nga autoritetet e Serbisë në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi.

MPJD ka bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është vënë në dijeni për rastin në mbrëmje dhe ka tentuar të marrë informacione përmes kontakteve të para me autoritetet lokale:

“Menjëherë pas pranimit të informatës, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, rreth orës 23:00 ka kontaktuar Stacionin Policor në qytetin Svilajnac, mirëpo zyrtari kujdestar nuk ka ofruar asnjë informacion lidhur me rastin, duke refuzuar të komunikojë.”

Mëngjesin e 23 korrikut, Zyra Ndërlidhëse ka adresuar një kërkesë zyrtare për sqarim të rastit dhe konfirmim të ndalimit:

“Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi më 23 korrik 2025 ka adresuar kërkesë zyrtare për konfirmimin e ndalimit dhe informacion shtesë lidhur me rastin, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, me njoftim paralel edhe për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi. Deri më tani, Zyra Ndërlidhëse nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga pala serbe.”

MPJD bën të ditur se rasti është adresuar edhe në misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it dhe te Delegacioni i BE-së në Serbi për të ngritur shqetësimin dhe për të kërkuar reagim diplomatik.

Në rast se ndaj shtetasit Halili do të caktohet paraburgimi dhe fillon procedura penale, autoritetet kosovare do të kërkojnë qasje për vizitë zyrtare:

“Nëse z. Halili i caktohet masa e paraburgimit dhe ndaj tij fillon procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të parashtrojë kërkesë për të realizuar vizitë në qendrën e mbajtjes ku ai gjendet.”

Po ashtu MPJD rithekson apelin për qytetarët e Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë:

“MPJD rithekson thirrjen drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet dhe kalimet transit përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.”

Related Articles

Back to top button
Close
Close