LajmeRajon

Anëtarësimi i Kosovës në KiE dhe çështja e Asociacionit – si e parasheh Tahiri procesin në Komitetin e Ministrave?

Dy shtetet mike të Kosovës, Gjermania dhe Franca i kanë shprehur hapur qëndrimet e tyre se qeveria duhet të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo pak javë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku Kosova po synon anëtarësimin. 

Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në lidhje me këtë në një intervistë për Telegrafin ka thënë se në raportin e Dora Bakoyannis nuk është kusht çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Raportuesja që vjen nga një vend jonjohës thotë se asnjë vendi nuk i janë vendosur më shumë kushte sesa Kosovës…”, tha ai.

Duke folur lidhur me kërkesën që të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se liderët e shtetit të Kosovës, presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari e kanë pranuar Asociacionin.

“Pra, në listën e obligimeve, në të cilat janë zotu tre liderët e shtetit të Kosovës është edhe zbatimi i Asociacionit. Unë tash nuk po e shoh arsyeshmërinë pse duhet të ndodhë kjo dhe pse duhet të kushtëzohet një e drejtë e fitume me një kusht që nuk është”, ka thënë Tahiri.

“Ku është roli i qeverisë dhe ku i parlamentit në këtë temë”, pyeti ai.

Tahiri tutje tha se si pjesë e delegacionit e kanë bërë punën e tyre në Asamblenë parlamentare.

“Ajo tani që duhet të ketë kujdes është cili do të jetë pozicioni zyrtar i Qeverisë së Kosovës…. Kurti do të mundohet që me një frymë populliste të ik nga përgjegjësia dhe fakti që e ka pranu Asociacionin. Shikoni, marrëveshja e Brukselit e ka Asociacionin brenda, Plani i Veprimit dhe marrëveshja e Ohrit e ka Asociacionin brenda.

Letra e nënshkruar prej presidentes, prej tij si kryeministër i vendit dhe prej kryeparlamentarit e ka Asociacionin, pra këta e kanë pranuar, tani nuk e di ku është problemi. Ftesa ime për kryeministrin është që fillimisht të dalin në vendet anëtare, dhe të sqarojnë pozicionin e Kosovës, letrën që e kanë nënshkruar dhe raportin, dhe pastaj të mos e lënë Kosovën peng”, tha Tahiri.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një rrugëtim natyral i një shteti që aspiron me qenë anëtar i BE-së dhe i NATO-s.

“Andaj, për me mujt me ecë, me u konfirmu përpara agjenda jonë euroatlantike është tepër e rëndësishme anëtarësimi i Kosovës dhe kërkesa jonë për Kurtin është që të ketë shumë kujdes….”, tha ai, duke shtuar se arrogancën këto tri vjet e ka pas me opozitën.

“Arbitraritetin në vendimmarrje e ka pas me qytetarët e Kosovës, të jetë i kujdesshëm mos t’ia bën një dëm, i cili do të jetë dëm i madh për Kosovën”, tha tutje Tahiri.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close