LajmeMaqedoniTopLajm

Ali Ahmeti uron 7 Marsin: Arsimi shqip ka qenë gjithmonë shtylla e identitetit dhe e zhvillimit tonë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes një postimi në profilin e tij në FB ka uruar ditën e arsimit shqip duke shënuar se Arsimi shqip ka qenë gjithmonë shtylla e identitetit dhe e zhvillimit tonë, shkruan Top24

Ahemti më tej shton se: 

Sot, në Ditën e Mësuesit-7 Marsin, përkujtojmë me respekt dhe mirënjohje të gjithë mësimdhënësit, ata që me përkushtim, dije dhe sakrificë kanë ndërtuar themelet e arsimit dhe të ardhmes sonë kombëtare.

Arsimi shqip ka qenë gjithmonë shtylla e identitetit dhe e zhvillimit tonë. Në këtë rrugëtim, edhe ne si Bashkim Demokratik për Integrim kemi dhënë kontribut të rëndësishëm në forcimin e arsimit në gjuhën shqipe, veçanërisht në themelimin dhe konsolidimin e universiteteve në gjuhën shqipe. Sot kemi tre universitete me kushte hapësinore dhe kadrovike solide, institucione që po forcohen çdo ditë dhe që po nxjerrin kuadro cilësore. Komuniteti ynë akademik, dalëngadalë, po depërton edhe në hapësirën globale akademike me profesionalizmin dhe cilësinë e vet.

Si subjekt politik kemi punuar për të ruajtur dhe përforcuar dinjitetin e këtij profesioni fisnik, mësimdhënies. Një ndër prioritetet tona ka qenë përmirësimi i statusit të mësimdhënësve, përmes rritjes së pagave në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Synimi ynë mbetet që kjo rritje të vazhdojë në kontinuitet, sepse ende ka nevojë që statusi i mësimdhënësve të përmirësohet edhe më tej.

Sot kemi më shumë shkolla të reja, salla sportive dhe kushte më moderne për zhvillimin e procesit arsimor. Sigurisht, ka ende shumë për të bërë dhe ne mbetemi të përkushtuar që investimi në arsim të vazhdojë pa u ndalur.

Urime 7 Marsi të gjithë mësimdhënësve! Respekt për misionin tuaj të shenjtë në formësimin e brezave dhe në ndërtimin e së ardhmes sonë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close