LajmeMaqedoniTopLajm

Aleanca për Shqiptarët i drejtohet Qeverisë: Shkurtoni lukset dhe merrni propozimet tona

Aleanca për Shqiptarët (ASH), ka reaguar në lidhje me situatën e fundit të krizës ekonomike të krijuar në vendin tonë. Nga ASH, kanë deklaruar se qytetarëve u duhet ndihmë urgjente dhe Qeveria duhet të ndalet më me defile. “Uluni dhe mendoheni! Nëse nuk e bëni, merrni propozimet tona të gatshme i keni. Çdo muaj rëndohet edhe më shumë buxheti familjar. Me të njëjtën sasi parash blihen gjithnjë e më pak produkte dhe kryhen shërbimet. Në prill, inflacioni që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të konsumit te gjerë, u rrit me 11.1 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ky është një tjetër rekord i zi, pas atij të marsit të po këtij viti Ky shtrenjtim shihet e ndjehet se ka goditur më shumë familjet me të ardhura të ulëta”, thonë nga atje.

Ata kanë shtuar se shpenzimet për blerjen e produkteve bazë të shportës, siç janë buka, vaji, produktet e qumështit dhe sheqeri janë rritur me ritëm dyshifror nga katër deri në 20 për qind. Sipas tyre, rritje ka pothuajse në të gjithë sektorët e industrisë, shërbimeve dhe çmimit të karburantit po vazhdon të rritet.

“Aleanca për Shqiptarët në disa raste ka paraqitur qëndrimin e saj për masat që duhet ndërmarrë Qeveria për t’iu përgjigjur rritjes së çmimeve. Një nga masat më kryesore dhe më e dobishme do të ishte reduktimi – ulja e taksave dhe akcizave që përmban çmimi i karburanteve. Karburantet janë produkte të tilla që kanë shumë taksa dhe akciza në strukturën e formimit të çmimit të tregtimit dhe i njëjti ka ndikim në të gjitha elementet ekonomike të kostos se produktit final. Pothuajse të gjitha vendet evropiane po mundohen të realizojnë ndërhyrje tek çmimi i karburanteve, ku në disa raste fiksojnë çmimet në nivele maksimale e në disa raste ulin përkohësisht akcizën dhe taksat”, thuhet në kumtesën e ASH-së.

Nga atje në fund kanë shtuar se kjo Qeveri e papërgjegjshme dhe e paaftë në këtë aspekt, nuk po ndërmerr asnjë masë me qëllim që të zbuten sado pak efektet e këtyre rritjeve marramendëse e të papërballueshme. “Qeveria duhet të mendojë që të përgatisë një paketë antikrize për shtresat e popullsisë në nevojë. Jemi në prag të ribalansit të buxhetit dhe është e udhës që të parashihen zhvendosje të fondeve të buxhetit duke i zhvendosur fillimisht mjetet e parapara për shpenzime luksi dhe joprioritare në mjete për të financuar paketat antikrizë për shtresat më të brishta të goditura nga këto rritje”, thonë në fund.

Related Articles

Back to top button
Close
Close