
E drejta për përdorimin e gjuhës është një nga shtyllat themelore të një shoqërie multietnike dhe demokratike. Në Maqedoninë e Veriut, kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet që burojnë prej saj. Megjithatë, realiteti tregon një dështim të vazhdueshëm në zbatimin e këtyre dispozitave.
Mosrespektimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nuk është thjesht një shkelje administrative, është shkelje ligjore që duhet të ndëshkohet. Edhe më shqetësues është fakti se këto shkelje kryhen nga vetë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, përfshirë ministra dhe kryeministrin.
Kjo situatë përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimeve të barazisë dhe shtetit të së drejtës.
I bëjmë thirrje gjithë opinionit publik shqiptar, si dhe të gjithë qytetarëve që besojnë në drejtësi dhe barazi, të mbështesin fuqishëm protestën e paralajmëruar nga studentët dhe t’u bashkohen atyre. Vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalen këto shkelje dhe të kërkohet llogaridhënie institucionale.
Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut shpreh mbështetjen e saj të plotë për Unionin e Studentëve Shqiptarë dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
U bëjmë thirrje:
Qeverisë së Shqipërisë
Qeverisë së Kosovës
Faktorëve ndërkombëtarë
që të mbështesin këtë kauzë legjitime dhe të kontribuojnë në garantimin e zbatimit të të drejtave themelore.
Barazia nuk negociohet. Ajo zbatohet.



