BotaLajme

Alarm shëndetësor në Greqi/ Fermeri 72-vjeçar vdiq nga sëmundja e rrallë e transmetuar nga rriqrat, infektohet mjeku

Autoritetet shëndetësore në Greqi kanë ngritur alarmin pas një rasti vdekjeprurës me ethet hemorragjike të Krimesë-Kongos, një sëmundje virale e rrallë në Evropë, por që ndonjëherë shfaqet në vendet e Ballkanit dhe Mesdheut.

Viktima ishte një fermer 72-vjeçar që merrej me bagëti dhe u infektua nga një rriqër. Ai u shtrua në spitalin e Larisës, ku ia transmetoi sëmundjen mjekut që e trajtoi, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme.

Në total, 25 persona janë vendosur në karantinë, përfshirë kontakte të ngushta dhe staf mjekësor, ndërsa 10 prej tyre konsiderohen si pjesë e grupeve me rrezik të lartë. Deri tani, nuk raportohet asnjë rast tjetër i sëmurë. Ky është rasti i parë i raportuar në Greqi që nga viti 2018

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka njoftuar se më shumë se 80% e të infektuarve nuk kanë simptoma ose shfaqin simptoma të lehta. Megjithatë, në rastet e rënda që kërkojnë shtrim në spital, rreth 30% e pacientëve humbin jetën. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje muskujsh, marramendje, dhimbje stomaku, gjakderdhje dhe në raste ekstreme, dështim të organeve.

Autoritetet greke kanë marrë mostra nga 15 rriqra dhe disa individë për testime laboratorike, ndërsa janë ndërmarrë masa për të dezinfektuar zonën ku ndodhi infeksioni. Ndërkohë, grupet me rrezik të lartë po informohen për masat parandaluese, si shmangia e livadheve dhe pyjeve, veshja e rrobave të çelëta dhe përdorimi i repelentëve.

Po ashtu, është lëshuar një udhëzim për personelin mjekësor që të tregojnë vigjilencë për rastet e dyshimta dhe të respektojnë protokollet e mbrojtjes personale për të shmangur përhapjen nga personi në person, përfshirë përdorimin e dorezave, paisjeve mbrojtëse dhe higjienën e rreptë të duarve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close