LajmeMaqedoniTopLajm

Akuza për mënyrën e faturimit të mbeturinave në Tetovë

Nga kompania Saubermacher, thonë se çmimin dhe mënyrën e përllogaritjes e përcakton këshilli i komunës së Tetovës dhe në bazë të asaj çmimore edhe faturohen faturat për shërbimet komunale.

Organizata Joqeveritare “Më mirë për Tetovën”, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit me faturat e mbeturinave, ujit dhe pastërtisë publike. Nga kjo organizatë akuzuan komunën e Tetovës se në vend që të përmirësojë gabimin me çmimet e larta, seanca e  fundit e këshillit të komunës së Tetovës kaloi në absurditetet. “Duke mos ditur se si të menaxhojnë me situatën kaotike që vetë e krijuan, udhëheqësia e komunës solli një vendim skandaloz që bën ndarje dhe diskriminim mes banorëve të Tetovës. Komuna i ndau banorët në qytetar-fshatar, të pasur-të varfër dhe mërgimtar-vendas. Sipas marrëveshjes së re faturat për qytetin do të faturohen sipas m2, ndërsa për fshatrat do të vlej çmim paushall. Qytetarët që do përballen me fatura të larta do duhet të takohen me kryetarin e komunës dhe ai nga vullneti i mirë për të ndihmuar do ua shlyejë nga përllogaritja m2 e bodrumeve, shkallëve, ballkoneve dhe nënkulmeve. Për fat të keq, këshilli i Komunës së Tetovës është shndërruar në një cirk ku vendimet e palogjikshme  godasin qytetarin. Derisa partitë politike luftojnë për poena politike para zgjedhjeve, askush nuk interesohet që t’i mbroj interesat e qytetarëve”, tha Agron Arifi  nga   “Më mirë për Tetovën”.

Nga kjo iniciativë qytetare thonë se Çdo tentim për ndasi dhe vendime me standarde të dyfishta për banorët është diskriminim i pastër.

“Kryetari i komunës dhe këshilltarët duhet ta kenë të qartë se vendimet në këshillin komunal duhet të vlejnë njëjtë për të gjithë banorët e komunës së Tetovës dhe nuk mund të bëhet dallim mes tyre. Çdo tentim për ndasi dhe vendime me standarde të dyfishta për banorët është diskriminim i pastër. Faturat e reja do të rëndojnë edhe më tej gjendjen ekonomike të qytetarëve të cilët edhe ashtu ballafaqohen me çmime të larta të rrymës dhe harxhimeve të përditshme. Tanimë është e qartë që udhëheqësia e komunës ka humbur sensin me realitetin dhe nuk është e aftë të menaxhojë problematikën në fjalë. Pasi në mbledhje të këshillit u përmend se do thirret përsëri seancë e jashtëzakonshme dhe do vazhdoje diskutimi për përcaktimin e çmimit edhe për qytetin, u bëjmë apel banorëve të qytetit të Tetovës që t’i kundërvihen këtij diskriminimi dhe zhvatje nga Komuna, dhe mos të bijnë pre e papërgjegjësisë së Komunës”, theksoi Agron Arifi.

Nga kompania Saubermacher, thonë se çmimin dhe mënyrën e përllogaritjes e përcakton këshilli I komunës së Tetovës dhe në bazë të asaj çmimore edhe faturohen faturat për shërbimet komunale. Nga komuna e Tetovës thonë se të gjithë qytetarët që kanë hasur në probleme me faturat e mbeturinave, janë të mirëpritur të bisedojnë me kreun e komunës, drejtorët e ndërmarrjeve përgjegjëse, për ta rregulluar dhe kuptuar më shumë rreth situatës që u krijua.

Related Articles

Back to top button
Close
Close