Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar sërish përmes zyrës së tij të shtypit për akuzat që opozita i ka drejtuar për lidhje me ish-zyrtarin e FBI-së të arrestuar së fundi Charles McGonigal.
Rama i ka hedhur posht akuzat përsëri duke shtuar se ai dhe qeveria shqiptare nuk kanë lidhje me hetimet që kanë nisur në SHBA.
“Ky mal i madh mbarsur me fantazi dhe ligësi, do të pjellë edhe më pak se një mi. Fatmirësisht gjithçka është e hetuar në SHBA dhe konkluzioni i hetimit s’ka asnjë lidhje me mua a me qeverinë shqiptare. Paratë e marra prej rusëve nga PD nuk janë shpikje, po fakt po ashtu i hetuar dhe i provuar botërisht. Deri dje thoshin Edi Rama dhe Sorosi, sot thonë Edi Rama dhe zyrtari i lartë i FBI, por si njëra si tjetra bien përtokë përballë fakteve të hetuara”, tha Rama.
Edhe më qesharake për kryeministrin janë akuzat për përfshirjen e oligarkut rus në biznes në Shqipëri, “si pjesë e këtij konspiracioni agjenturor të tipit kinematografik “Fije që priten”.
“Kompania Strabag është flamuri më i madh i ekonomisë austriake, e cila ashtu si edhe kompania Trema operojnë në Shqipëri prej dekadash. Të lidhësh një aksioner rus të këtyre kompanive (i cili së fundmi është përjashtuar prej tyre si një individ nën sanksionet e luftës) me këtë përrallë që edhe pa të është krejt groteske, do të thotë të jesh në dëshpërim total”, shtoi Rama.