
Mëngjesin e sotëm, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka nisur një operacion policor që ka të bëjë me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë Baki Kelani, i cili tha se aksioni policor po zhvillohet pas hetimeve intensive nga njësitet relevante.
“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mengjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Kelani.
Kujtojmë se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, lidhur me këtë rast më 02 prill kishte bërë të ditur se rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra nga dy persona në shkallët e ndërtesës ku banon teksa po kthehej nga puna, dhe se autorët e dyshuar ndodhen në arrati.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Çerkini kishte thënë se autoritetet janë duke punuar për të zbardhur motivet dhe arsyet e vrasjes.
“Nga të dhënat që kemi, dy personat kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi më shumë informata. Nuk kemi ndonjë tregues që rreshteri Lika ka pasur ndonjë problem, qoftë me procedural që i ka zhvilluar qoftë si zyrtar policor, apo ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, kishte deklaruar Çerkini.



