
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në 19 vjetorin e themelimit të kësaj partiar ka shpalosur moton “Për një të ardhme të gjelbër”.
“Prandaj ne sot, mu në ditëlindjen e 19-të të Bashkimit Demokratik për Integrim, në përputhje me Rezolutat e miratuara në Kongresin tonë të fundit, po nisim një politikë të re, një mënyrë të re të të bërit politikë dhe të vepruarit të drejtpërdrejt, përtej të drejtave etnike, zhvillimit dhe synimeve integruese, politikë për drejtësi mjedisore, për jetë cilësore. Sot, Bashkimi Demokratik për Integrim në tërësi e përqafon agjendën e gjelbër si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane dhe e shton atë në krah të shtyllave tona programore si prioritet. Agjenda e gjelbër të dashur miq nënkupton jetë cilësore, vende pune dhe zhvillim, në veçanti në periudhën pas pandemisë dhe ndikimit negativ të saj mbi ekonominë, vendet e punës, shëndetin dhe jetën në përgjithësi. Paratë e dedikuara në agjendën e gjelbër janë investim sepse mjedisi dhe ekonomia janë të ndërlidhura, janë investim mbi shëndetin publik, në mbrojtjen e ambientit, në çasjen në ujë dhe ajër të pastër, në pastrim të deponive, në reduktimin e emetimeve të gazrave, rrugë dhe hekurudhë cilësore, gazifikim dhe energji të gjelbër, ndikon edhe në cilësinë dhe rrjedhimisht edhe në kohëzgjatjen e jetës tonë, në shëndetin mendor, në parandalimin e katastrofave që do të kushtojnë shumë më tepër, shpesh edhe me jetë”,tha Ahmeti.



