
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, vazhdon të kërkojë unitet për anëtarësim në BE. Sipas tij kjo arrihet duke mos krijuar përçarje dhe duke u angazhuar në reforma dhe sundimin e shtetit ligjor.
“Si u bë NATO do të bëhet edhe Evropa, por duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, luftoje krimin, hajdutin, kriminelin, të gjithë luftoi, sundoje ligjin. Punët që duhet t’i bëjmë ne, nuk i bëjmë për Evropën, por i bëjmë për vete.”, – deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Mexhiti: Keqpërdorimi i integrimit, tendencë jo e mirë
Por, grupi i të pakënaqurve në BDI këmbëngul për llogaridhënie e thotë se nuk mund të keqpërdoren integrimet dhe ndryshimet kushtetuese, për të shpëtuar karrierën politike të dikujt.
“Mendoj që është një tendencë jo e mirë për t’i keqpërdor integrimet evropiane, ndryshimet kushtetuese për kamuflazh apo për politikë ditore ose për ta shpëtuar edhe zotin Grubi.”, – theksoi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Kërkesat e grupit të të pakënaqurve, Osmani: Nuk guxojmë të kalojmë në anarki
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani thotë se në BDI është i mirëseardhur mendimi ndryshe, por nuk mund të kalohet në anarki.
“BDI njihet për demokracinë e brendshme, për mundësinë që njerëz të ndryshëm të parashtrojnë ide të ndryshme që dallohen nga ideja e shumicës, por kjo është deri në kufirin që nuk kalon në anarki, atëherë secila organizatë merr masa për ta ruajtur funksionin.”, – u shpreh zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Sipas tij, BDI inkurajon secilin ta thotë qëndrimin e tij ndryshe, por vendimmarrja i mbetet shumicës.



