
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024 për Kosovën.
Në pjesën për lirinë e medias dhe të shprehjes, raporti evidenton gjetjet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, lidhur me vështirësitë në marrjen e informacionit nga institucionet publike, si dhe presionet ndaj gazetarëve dhe mediave, nëpërmjet sulmeve nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Raporti përmend se disa zyrtarë qeveritarë, parti politike, biznese të lidhura me institucionet publike, grupe fetare dhe individë të pakënaqur kanë ushtruar presion ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve për të mos publikuar materiale të caktuara.
Në raport flitet edhe për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i miratuar më 11 korrik 2024, për të cilin AGK-ja, Ombudspersoni dhe organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për ndikimin në pavarësinë e këtij institucioni.
“Ligji ishte në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese në kohën e përpilimit të raporti. Ai u shpall antikushtetues në mesin e vitit 2025”, thuhet ndër të tjera në njoftim.



