
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në një intervistë në emisionin “Dialog te Lajmi”, ka pranuar ekzistencën e dokumentit të iniciuar nga Arben Taravari para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, ku parashihej që integrimi në Bashkimin Evropian të jetë kusht dhe prioritet i përbashkët i të gjitha partive politike.
Dokumenti, për të cilin Taravari kishte deklaruar më herët se është nënshkruar nga të gjitha partitë dhe se kopja e tij gjendet tek Gashi, u konfirmua edhe nga vetë kryeparlamentari, i cili tha se “gjithë opinioni e di se ka pasur një iniciativë të tillë”.
Edhe pse Gashi e cilësoi nismën si të pasinqertë dhe tendencioze, ai nuk e mohoi ekzistencën e saj, duke theksuar se është deklaruar më herët për atë letër dhe se, sipas tij, bëhet fjalë për një “kapitull të mbyllur”.
Përkrahësit e Taravarit e shohin këtë si dëshmi se iniciativa për ta vendosur integrimin në BE si vijë të kuqe të politikës shqiptare ka qenë reale dhe e strukturuar, duke synuar një konsensus të gjerë politik për orientimin strategjik të vendit.
Sipas tyre, fakti që ekzistenca e dokumentit tashmë pranohet publikisht, e forcon qëndrimin e Taravarit se prioriteti evropian duhet të jetë mbi kalkulimet ditore politike dhe mbi interesat e ngushta partiake.
Debati rreth kësaj nisme rikthen në fokus çështjen e unitetit politik shqiptar rreth integrimit evropian dhe përgjegjësinë e subjekteve politike për të mbajtur zotimet e dhëna para qytetarëve.



