LajmeRajonTopLajm

Abdixhiku për ftesën e Kurtit për takim: S’ishte e sinqertë, ishte kërkesë për instrumentalizim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ftesa e kryeministrit Albin Kurti për të takuar partitë opozitare javën e kaluar “nuk ishte as e sinqertë e as e vërtetë”.

Abdixhiku thotë se në tekstin e ftesës flitej për agjendë legjislative, ndërkaq në përmbjtje ishte diskutim për zgjedhje.

Sipas kreut të LDK-së, dy kryetarë partish nuk kanë se çfarë të takohen për agjendën legjislative kur i kanë përfaqësuesit në Kryesinë e Kuvendit.

“Ftesa nuk ishte as e sinqertë e as e vërtetë, nuk ishte e sinqertë sepse në tekstin e ftesës flitej për agjendë legjislative që dy kryetarë partish s’kanë çfarë takohen kur kanë përfaqësuesit në Kryesinë e Kuvendit. U pa se nuk është e sinqertë sepse përmbajtja së paku prej deklarimeve, ishte se flitej për zgjedhje, në qoftë se do të flasësh për zgjedhje, kërko takim për zgjedhje. E dyta, nuk ishte e vërtetë sepse në këto tri vite të Qeverisë së tanishmene si parti opozitare, si LDK, përkundër faktit që kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit, përkundër se kemi pasë konstruktivitet, jemi përballë me një përbuzje dhe një propagandë të pashoq të kryeministrit dhe Qeverisë”- është shprehur Abdixhiku në emisionin Pressing.

“Tani në një rrethanë të tillë unë nuk mund ta strehoj gjithë betejën politike të ndyrë në gjashtëmujorin e fundit të mandatit, është tepër vonë. Është shumë vonë”- ka shtuar ai.

Kryetari i LDK-së tha se për çështje madhore, pra për çështje të sigurisë, do të ishte takuar me kryeministrin.

“Pra nuk ishte e vërtetë sepse për çështje madhore ne edhe ishim takuar, për çështjen e veriut edhe ishim takuar, për çështje të sigurisë kishim marrë pjesë. Por, jo për çështjen e draft-statutit të Asociacionit, ai nuk e kishte parë të arsyeshme të ndajë me partitë opozitare një dokument të tillë, e kishte Vuçiqi shumë para nesh, por partitë opozitare nuk e kishin”- theksoi ai.

Abdixhiku konsideron se ftesa e Kurtit nuk ishte për bashkëpunim, por “ishte kërkesë për instrumentalizim”.

“Ose merreni shembullin e bashkëpunimit parlamentar, prej tre viteve buxhet të aprovuar asnjë amendament i opozitës nuk ka kaluar. Pra s’kishte vërtetësi në ftesën për bashkëpunim, ishte një kërkesë për instrumentalizim dhe këtë e kuptuam dhe patëm një qëndrim që është shumë parimor”- tha Abdixhiku.

Në një darkë e cila zgjati rreth tre orë mes Kurtit dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, më 13.05.2024, është diskutuar edhe për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme. Këtë takim e kanë refuzuar dy partitë opozitare, AAK dhe LDK.

Pas këtij takimi, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet.

Kurti deklaroi se nuk do të preferonte që të shpërndahet Kuvendi me dy ose tri parti, por që të gjithë “të jenë bashkë”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close