
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Qeveria po e përmbyll vitin e tretë në Qeveri, por sipas tij, ende s’e kanë përmbyllur një rrugë të vetme në të gjithë Kosovën.
Ai ka thënë se projekti i vetëm i madh kapital që ndodhë sot në vend është ai i ‘Rrugës A’ në kryeqytet; aty ku sipas tij, Qeveria qendrore nuk ka asnjë rol.
“Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot. Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës.
Ka shtuar se në programin e ‘Rrugës së Re’ të gjitha projektet kapitale për qytetet e mëdha në vend do të përfundojnë brenda 30 muajve, pasi sipas tij, aq kohë duhet dhe aq kohë do të marrin ea q kohë do të kenë.
“Dhe, natyrisht, jo me çmime absurde 12-13 milionëshe për kilometër, edhe më pak me aneks marrëveshje që falnin nga 54 milionë, por me kujdes ndaj parasë publike e pa ngarkesë buxhetore që paralizojnë sektorë të tjerë”, ka shtuar ai.



