
Ambasadori në largim i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Abbott në takim me Sveçlën ka folur për një sërë çështjes teksa ka theksuar se Britania mbështet përpjekjet e Kosovës për të hetuar sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Në takimin tim lamtumirës me ministrin Xhelal Sveçla, diskutuam për bashkëpunimin e fortë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës për një sërë çështjesh të sigurisë, si dhe ndikimin e sulmit në Banjskë. Mbretëria e Bashkuar mbështet Kosovën në përpjekjet për të hetuar sulmin dhe bën thirrje që autorët të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Abbott në platformën X.
Gjatë ditës së sotme, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova i ka dërguar një raport 48-faqësh Bashkimit Evropian lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Bislimi në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane tha se këtë raport e kanë përcjellë te çdo vend anëtar dhe te çdo Ambasadë në Bruksel.
Ai ka thënë se raportin me publikun mund ta ndajë Prokuroria, dhe jo Qeveria, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Ne kemi dërgu 48 faqe raport për Banjskën në Bashkimin Evropian dhe secilit shtet anëtar dhe secilës Ambasadë në Bruksel, pra 48 faqe. Por raportin për me e publiku duhet me e bo prokurori, prokurori nuk është qeveri. ne po bëjmë presion publikon, bëni edhe ju që të publikohet raporti. Ndihmona që Prokuroria ta publikojë raportin ta nxjerrë fletëarrestin për Radoiçiqin dhe të gjithë kriminelët e tjerë. Ndihmona në këtë drejtim që Radoiçqi të mos sillet i lirë, sepse sa kohë sillet i lirë, Serbia përgatittë e trajton të rinj nëpër kampet e veta rreziku i sigurisë ekziston”, tha Bilsimi.
Po gjatë ditës së djeshme zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media tha se po presin raportin përfundimtar për Banjskën.
“Sa i përket Banjskës, s’mund të them asnjë informacion të ri momentalisht. BE pret me padurim përfundimin e hetimit nga autoritetet kosovare. Në momentin kur të kemi në dorë rezultatet, atëherë do t’i shqyrtojmë ato me kujdes për të nxjerrë konkluzione dhe për të marrë masat përkatëse, pa u ndikuar nga ndonjë mendje individuale në asnjë rast të veçantë,” u shpreh ai.
“BE pret një bashkëpunim të plotë nga çdo person që mund të kontribuojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e bashkëpunëtorëve, organizatorëve dhe pjesëmarrësve”, u shpreh më tej Stano. /Reporteri.net/



