Lushtaku: E përkrahim në mënyrë absolute kryetarin Krasniqi, nuk flas për gjëra ku nuk e kam vendin
Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, për FrontOnline, ka deklaruar se është përkrahës i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit dhe se i përkrah dy datat e propozuara nga ai për zgjedhje.
‘’Unë jam përkrahës i kryetarit të partisë dhe përkrahi këto dy data për zgjedhje’’, deklaron ai.
Lushtaku, ka thënë se nuk dëshiron të pyetet për gjëra në të cilat ai thotë se nuk i takon.
‘’Mos më pyet mua aty ku nuk e kam vendin’’, shprehet ai.
Ai shton se si kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, kryetari i subjektit të tij e ka përkrahjen absolute.
‘’Unë jam kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj dhe kryetari i PDK-së e ka përkrahjen time absolute’’, potencon Lushtaku për FrontOnline.
Lushtaku thotë se Krasniqin e ka përkrahur jo vetëm për takimin me kryeministrin Albin Kurtin, por edhe për propozimin që Krasniqi ia ka bërë Kurtit.
‘’Jo vetëm për takimin por edhe për propozimin që e ka bërë, kështu që kjo pjesa e tjetër nuk është e imja.’’përfundon Sami Lushtaku.
Lladrovci: Te ketë veprime të menjëhershme, të ndalet kjo Qeveri
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci për FrontOnline, deklaron se shkuarja në zgjedhje të reja, është e paraparë me ligj, por se duhet të ketë vullnet politik për këtë temë.
‘’Shkuarja në zgjedhje, të rregullta apo të parakohshme, është e paraparë me ligj, vetëm duhet vullnet politik, dhe vendimi i faktorëve politikë duhet të jetë përtej lojërave politike dhe pozave elektorale’’ deklaron ai.
Ai potencon se nëse të gjithë po thonë se gjendja në Kosovë është nivelin me të keq, atëherë duhet veprim i menjëhershëm dhe të ndalet kjo qeveri.
‘’Nëse të gjithë po pajtohemi se gjendja e Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare është në nivelin ku më parë kurrë nuk ka qenë, ka probleme me ligje dhe zbatimin e programit qeveritar me rritjen e varfërisë dhe ikjen enorme të të rinjve, duhet veprim i menjëhershëm, të ndalet ky trend me vendime të guximshme që kanë në thelb interesin e shtetit tonë dhe të qytetarëve’’ potencon Lladrovci.
Lladrovci thotë se zgjedhjet janë zgjidhja në këtë rast, por zgjidhjen mund të i ofrojnë subjektet që i kanë numrat, duke kërkuar nga Vetëvendosje që të e hap këtë mundësi.
‘’Prandaj, zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja, por, zgjidhje nuk mund të ofrojnë subjektet politike që nuk i kanë numrat, rruga e vetme është të reflektojë ai që e ka mundësinë, pra, partia në pozitë, të hap krah për matjen e forcave dhe të vullnetit politik të qytetarëve, me të dyja mundësitë, sa më parë, aq më mirë’’ përfundon Lladrovci.
Haliti: Nuk po më pëlqen data 7 korrik për zgjedhje, më e lezetshme dorëheqja ose shkarkimi i Kurtit, datën e zgjedhjeve e cakton Presidentja
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, për FrontOnline deklaron se e pëlqen më shumë shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti ose ia dëshiron më shumë dorëheqjen e tij.
‘’Këto dy të mramat ishin kanë me të lezetshme, por ai nuk jep dorëheqje sepse s’ka dhënë dorëheqje asnjë kryeministër dhe ai dëshiron shumë me shkuar në variantin e marrëveshjes politike. Me mirë kishte qenë me shkarkuar Kurtin’’ thotë ai.
Ai thotë se nuk e pëlqen datën 7 korrik si datë të zgjedhjeve edhe pse është propozuar nga partia e tij, PDK.
‘’7 korriku korrespondon me ditën e kryengritjes së Serbisë dhe nuk më pëlqen si datë dhe me 30 qershor varet si merren vesh partitë, nëse ka marrëveshje atëherë data caktohet nga Presidentja e vendit’’, potencon ai.
Ai thotë se me qenë fer kryeministrit Kurti do të kërkonte mocion për shkarkimin e tij.
‘’Me qenë ai fer kishte me kërkuar mocioni mosbesimi për të dhe Qeverinë e tij për shkarkim, në qoftë se votëbesohet në Kuvend kjo është demokraci, nëse nuk do të ishte votuar në Kuvend, mandati i tij vazhdon’’ thotë ai për FrontOnline.
Ndërkaq, Haliti deklaron se pavarësisht kësaj, për të është në rregull kur do që caktohet data e zgjedhejve.
‘’Për mua kur do që merren vesh partitë, është në rregull’’, deklaron ai.
I pyetur se a do të jetë prap kandidat për deputet, Haliti shprehet se momentalisht nuk e di ende.
‘’Nuk e di, akoma nuk kam menduar nëse do të jem prap kandidat për deputet’’ përfundon Haliti.
Bashota i PDK-së: Darka u paragjykua, Krasniqi shkoj për të kërkuar datën e zgjedhjeve
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Sokol Bashota, deklaron për FrontOnline se mesazhi për zgjedhje, është dhënë nga darka e realizuar mes kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit dhe kryeministrit Albin Kurti dhe se kreu i PDK-së në takim i ka kërkuar datën e zgjedhjeve, kryeministrit Kurti.
‘’Darka që është bërë aty ka qenë mesazhi dhe merreni mesazhin siç thuhet dhe jo siç paragjykohet. Kryetari Krasniqi në takim ka shkuar me kërku datën e zgjedhjeve’’, deklaron Bashota.
Ai thotë se janë dy arsye për të shkuar sa më pare në zgjedhje.
‘’Janë dy motive që opozita duhet me kërkua zgjedhje: e para që është opozitë dhe e dyta se kemi qeverisje kaq të keqe që ka degraduar të arriturat 20 vjeçare dhe vendi duhet shkuar në zgjedhje që qytetarit me ia ofrua alternativën me të mirë dhe alternativa më e mirë është e jona, pra kandidati ynë Bedi Hamza që është një ekspert i ekonomisë’’, shprehet ai.
Bashota thotë se në këtë rast kryeministri Albin Kurti e ka shumicën e votave dhe pa pasur shumicë, nuk mund të shkohet në zgjedhje.
‘’Albin Kurti duke pasur shumicën e votave në Kuvend, pa një marrëveshje nuk mundet me shkuar në zgjedhje, ai e ka shumicën’’ thotë Bashota/FrontOnline/