
Senatorët amerikanë sapo kanë arritur në Kosovë, pas një vizite që patën ditën e djeshme në Serbi.
Kjo është bërë e ditur nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Hovenier tha se është i lumtur të mirëpres sot në Kosovë, senatorët Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të gjithë mbështetës të vjetër për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin euroatlantik të Kosovës.
“Me kënaqësi i mirëprita sot në Kosovë senatorët Shaheen, Murphy dhe Tillis, të gjithë mbështetës të vjetër për pavarësinë, sovranitetin dhe integrimin euroatlantik të Kosovës. Mezi presim angazhime thelbësore që tregojnë liderët kosovarë, të rinjtë dhe mikpritjen e Kosovës duke strehuar afganët”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
Duhet përkujtuar që vizita e senatorëve amerikanë në Kosovë, e në rajon në përgjithësi po bëhet në një periudhë ku pati ndryshime të shumta politike.
Senatori, Chris Murphy nëpërmjet një shkrimi të tij në Tëitter më 19 prill ka thënë se kanë nisur këto vizita për të forcuar lidhjet e ShBA-së me Ballkanin përballë përpjekjeve ruse për të minuar paqen.
“Derisa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ata do të përpiqen të krijojnë probleme në rajonet e brishta të afërta. Unë gjatë kësaj jave jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje me senatoren Shaeen dhe senatorin Thom Tills për të forcuar lidhjet e SHBA-së me Ballkanin përballë përpjekjeve të huaja për ta minuar paqen”, ka shkruar ai./Lajmi.net/




