LajmeMaqedoniTopLajm

Qendër Zhupë voton për kryetarin e komunës

Votimi i sotëm në Qendër Zhupë është edhe një përpjekje për t’u arritur censusi i nevojshëm që këto zgjedhje të jenë të suksesshme dhe komuna të ketë kryetar. Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor Nexhip Iljaz thotë për Alsat se votimi vijon në rregull dhe pa incidente.

“Numri i përgjithshëm i daljes deri në ora 15 është 1706 votues dhe kjo me përqindje është 24.11%. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara kjo përqindje është rreth 5% më shumë, deri në këtë orë. Arsyeja (për daljen e ulët në këtë komunë) është numri i lartë i popullsisë që ndodhet jashtë vendit në Evropë dhe ky numër është serioz. Nuk mund të parashikojmë a do të kemi census ose jo, por këtë do ta shohim në fund të ditës”, deklaroi Nexhip Iljaz, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor, Qendër Zhupë.

Ligji thekson që zgjedhjet të jenë të suksesshme, në votime duhet të dalin të paktën 1/3 e votuesve që janë të regjistruar në listën zgjedhore. Në Qendër Zhupë përsëritet votimi pasi në zgjedhjet e tetorit nuk u arrit censusi. Nga 7317 votues sa ishin të regjistruar në listën zgjedhore në tetor, për të votuar dolën 25.78%. Ndërsa, në këto zgjedhje, në listën zgjedhore në këtë komunë janë të regjistruar 7077 votues. Kjo gjë e ul edhe numrin e nevojshëm të votuesve për përmbushjen e kushtit. Nëse në tetor do të duheshin 2439 votues që votimi të jetë i suksesshëm, sot nevojiten 2359 votues të cilët do të duhet të realizojnë të drejtën e votës.

Qendra Zhupë përballet me problemit e migrimit, si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Shumë banorë të saj jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore, pjesa më e madhe në Itali kurse disa janë shpërngulur në qytetet brenda vendit.

Kodi parashikon që nëse në zgjedhjet lokale nuk zgjidhet kryetari, Qeveria emëron njeri të besueshëm i cili i kryen detyrimet e kryetarit të komunës. Më pas Qeveria informon Kuvendin për situatën kurse Kuvendi duhet të shpallë zgjedhje të reja.

Zgjedhjet lokale duhej të përsëriten edhe Mavrovë dhe Rostushë, ku po ashtu në tetor nuk u përmbush censusi i nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit. Por, në Mavrovë dhe Rostushë nuk ka zgjedhje të reja meqë dy kandidatët që ishin në garë u tërhoqën. Aktualisht komuna drejtohet nga person i besueshëm i Qeverisë, ashtu siç e parashikon ligji.

Related Articles

Back to top button
Close
Close