LajmeRajonTopLajm

SHBA, BE, KFOR, OSBE – Reagimet e ndërkombëtarëve dhe institucioneve të vendit pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri

Krerë të institucioneve të vendit si dhe përfaqësues ndërkombëtarë me mision në Kosovë, i kanë dënuar sulmet ndaj Policisë Kosovës në veri të vendit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. 

Reagimet pasuan njoftimin e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ministri Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

“Tentim-sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale, në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e së premtes, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”.

Sipas tij, sulmi i dytë ka ndodhur përmes gjuajtjes me gurë drejt Policisë së Kosovës.

Sulmi i tretë në mbrëmjen e së enjtes është bërë me armë zjarri dhe ka ndodhur në afërsi të pikës së kontrollit për pengimin e shfrytëzimit të rrugëve ilegale.

“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”, ka thënë Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla, sqaroi se rastet e fundit nuk janë bërë publike në fillim për t’i dhënë kohë policisë për t’i zbuluar shkaktarët.

Por, siç shtoi ai, me sulmin e së premtes ku është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e zyrtarëve policorë, “këtu tash nuk kemi dyshime, ky është sulm terrorist dhe kemi vlerësuar që është e pashmangshme që këto informata të mos ndahen me publikun për të parandaluar çfarëdo lloj dezinformate”.

“Grupe të caktuara të mbështetura nga kushdo, nuk do të mund ta rrezikojnë sigurinë e vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla.

SVEÇLA: POLICIA E KOSOVËS NË VERI SOT U SULMUA ME GRANATA DORE, KY ËSHTË AKT TERRORIST

Sveçla, po ashtu, ka thënë se këto ngjarje konfirmojnë “panikun e grupeve për shkak të përmirësimit të sundimit të ligjit”, duke mos dashur të përmendë se cilat janë ato grupe, pos që ato po i sulmojnë institucionet legjitime të Kosovës.

Ndërkaq, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”.

MEHMETI: SULMET NË VERI ISHIN TË NDËRLIDHURA, DËSHIROJNË TË PENGOJNË AKSIONET TONA KUNDËR KONTRABANDËS

Mehmeti ka theksuar se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen qetë e të sigurt dhe se duhen të dinë se kur grupet kriminale pengohen, kur iu ndërpriten mënyrat e financimit të aktiviteteve kriminale, “sigurisht që bëhen më nervoz dhe më të tendosura”.

Në automjetin e Policisë së Kosovës që u sulmua të premten në veri të vendit, po udhëtonin pjesëtarë të PK-së shqiptarë dhe serbë.

Në konferencë nuk është bërë e ditur nëse ka pasur të lënduar në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ndërsa ministri i Brendshëm, Sveçla, ka thënë se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale.

Reagimet në lidhje me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri. Në një postim në Twitter, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këto sulme.

“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe hedhje gurësh ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit pranë Zubin Potokut”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme”, thuhet ndër tjerash në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

AMBASADA AMERIKANE NË KOSOVË DËNON SULMET NDAJ POLICËVE NË VERI, “PARALAJMËRON KUNDËR SPEKULIMEVE QË RRISIN TENSIONET”

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.

“Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm”.

Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.

BASHKIMI EVROPIAN DËNON ASHPËR SULMIN NDAJ POLICISË SË KOSOVËS NË VERI

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar lidhur me sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri. Duke cituar burimet që kanë identifikuar sulmin e së enjtes, “të ardhur nga Serbia”, Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që “të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës”.

KURTI: SULMI NDAJ POLICËVE TË KOSOVËS NË VERI KA ARDHUR NGA SERBIA

Shefi i Kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka reaguar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Vela, përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se Serbia dhe strukturat e saj kriminale po tentojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë, por sipas tij, do të dështojnë.

REAGON PRESIDENCA: STRUKTURAT KRIMINALE TË SERBISË SYNOJNË DESTABILIZIMIN NË KOSOVË, POR DO TË DËSHTOJNË

“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kryen disa sulme që synonin Policinë e Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politikës në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë”, ka shkruar Vela në Twitter.

Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten pasdite ka mbledhur strukturat e sigurisë së Kosovë, pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri, mëson nga burimet në Presidencë Gazeta Online Reporteri.net.

PAS SULMEVE NDAJ POLICËVE NË VERI, PRESIDENTJA OSMANI MBLEDH STRUKTURAT E SIGURISË

Reporteri.net ka mësuar se presidentja Osmani është duke diskutuar me këto struktura për situatën e sigurisë dhe hapat e mëtutjeshëm, pas sulmeve të këtyre ditëve.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, ka reaguar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë i sheh me shqetësim të madh sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës. Aktet e tilla të shëmtuara, të drejtuara kundër jetës së policëve, detyra e të cilëve është të mbrojnë të gjithë njerëzit në Kosovë, janë krejtësisht të papranueshme. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të fokusojnë përpjekjet në identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në reagimin e OSBE-së në Facebook.

OSBE: TË IDENTIFIKOHEN AUTORËT E SULMEVE NË VERI, SHQETËSUESE AKTET E TILLA TË SHËMTUARA

“Misioni NATO-s në Kosovë, KFOR, dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë një zyrtar për media i KFOR-it.

“Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet. Ne presim nga të gjitha palët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet pa nevojë dhe të ndikojnë negativisht në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

KFOR: TË PËRMBAHEMI NGA VEPRIMET QË PËRSHKALLËZOJNË TENSIONE NË VERI

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se krimi i organizuar që operon në Kosovë e ka sulmuar sot policinë e Kosovës në veri të vendit.

Haradinaj ka thënë po ashtu se aktet kriminale siç ishte kjo e sotmja ndaj policisë së Kosovës janë alarm për të gjithë.

“Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin. Të distancohemi nga dhuna e nga krimi e të bashkohemi në luftën e pakompromis ndaj tij”, ka shkruar ai.

HARADINAJ: KRIMI I ORGANIZUAR SULMOI POLICINË E KOSOVËS, TË BASHKOHEMI NË LUFTËN E PAKOMPROMIS NDAJ TIJ

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e quajti akt kriminal dhe të patolerueshëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri.

Në Facebook ai shkroi se qëllimet e kriminelëve e mohuesve të sovranitetit të Kosovës që të provokojnë paqen, nuk do të arrihen.

“Sulmi ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare me Serbinë, është akt kriminal dhe i pa tolerueshëm që për qëllim ka cenimin e rendit të ligjit për dobi të kriminelëve, në një kohë kur Kosovës i duhet stabiliteti e siguria, ndërsa mohuesve të sovranitetit tonë iu konvenon trazira dhe provokimi i paqes. Që të dy këto qëllime, janë e do mbesin të paarritshme kundër shoqërisë tonë multietnike e shtetit tonë sovran dhe të pavarur”, ka thënë ai.

KRASNIQI I PDK-SË: SULMI NDAJ POLICISË NË VERI I PATOLERUESHËM, ËSHTË AKT KRIMINAL

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ofruar mbështetjen e saj për Policinë dhe institucionet e sigurisë në ushtrimin e detyrave në territor të Kosovës, pas sulmeve që iu bënë zyrtarëve policorë në veri ditëve të fundit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës me shqetësim të madh është duke i ndjekur lajmet e fundit rreth sulmeve të armatosura ndaj zyrtarëve kufitar të Policisë së Kosovës. LDK ofron gjithë mbështetjen e nevojshme për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe garantimin e sigurisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku./Reporteri.net

Related Articles

Back to top button
Close
Close