
Katari është ngopur me Neymar, si në fushë ashtu edhe jashtë saj, me sulmuesin e Paris Saint-Germain që tani po thekson edhe më shumë zemërimin e pronarëve të klubit.
Arabët janë lodhur nga braziliani nga stili i tij i jetës, ndryshe nga ajo e shumë sportistëve të tjerë elitarë. Janë lodhur edhe nga paraqitjet e tij në fushë.
Prestigjozja franceze L’Equipe thotë se drejtuesit e klubit mendojnë se Neymar pëlqen më shumë qytetin e Parisit se sa klubin PSG.
Jo vetëm kaq, blerja e Neymar për 222 milionë Euro u bë si investim që do t’i sillte edhe më shumë përfitime, por drejtuesit e klubit ndjehen të mashtruar. Sipas mediave franceze, në 5 vite shpenzimet për futbollistin kanë kaluar 500 milionë Euro duke i krijuar të gjitha kushtet e mundshme, megjithatë performancat e tij nuk i kanë përmbushur pritshmëritë.
“Aksionerët e klubit francez mendojnë se janë mashtruar nga paratë e tyre”, thotë L’Equipe.
“Neymar është thuajse i dehur kur vjen në stërvitje”, shkruante disa ditë më parë një gazetar francez ndërsa RMC Sport tha se mes futbollistit dhe klubit ka një ndarje totale.
Nga ana tjetër fishkëllimat e tifozëve dhe kritikat ndaj tij e kanë lënduar brazilianin, i cili nuk ka ngurruar të përgjigjet.
Në ndeshjen e fundit, ndaj Lorientit ai shënoi një gol të mrekullueshëm pas të cilit ironizoi duke thënë në rrjetet sociale “isha i dehur, prandaj funksionoi”.
Në çdo rast Ney do të vijojë të luajë për PSG pasi me aq sa kushton, askush nuk do të ishte në gjendje ta blinte.
Tv Klan



