
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar proces të drejtë, transparent e meritor në përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.
Kurti ka thënë se Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka integritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik.
“Sot zhvillohet intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit.
Ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, prandaj ka vëmendjen e të gjithëve.
Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka intergritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik.
Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare.
Si kryeministër i vendit pres që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe meritor”, ka shkruar Kurt
Në garën për Kryeprokuror të Shtetit janë 5 kandidatë:
Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;
Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe
Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.



