BotaLajme

PE: Serbia, Rusia dhe Kina bashkëpërgjegjëse për krimet në Mianmar

Parlamenti Evropian miratoi Rezolutën për Mianmarin, ku thuhet se Serbia, Rusia dhe Kina janë bashkëpërgjegjëse për krimet në atë vend, sepse po armatosin ushtrinë atje, e cila erdhi në pushtet më shumë se një vit më parë dhe po ushtron represion.

Rezoluta i bën thirrje Bashkimit Evropian të vendosë sanksione shtesë, me qëllim kthimin e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike, e cila u rrëzua nga ushtria e Mianmarit më 1 shkurt 2021, transmeton Hina.

Rezoluta u miratua me 646 vota për, një kundër dhe 20 abstenime.

Rezoluta dënon ashpër Serbinë, Rusinë dhe Kinën, të cilat furnizojnë me armë juntën ushtarake, gjë që i bën ata përgjegjës për krimet e kryera me ato armë, thuhet në tekstin e rezolutës.

“Ata po destabilizojnë një vend që shpreson të ketë një të ardhme demokratike,” tha Svenia Hahn, një deputete socialiste gjermane dhe një nga autorët e rezolutës.

Pas grusht- shtetit, ushtria arrestoi presidentin Vin Mitin dhe kryeministren Aung San Suu Kyi dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Komandanti ushtarak i juntës ushtarake, Min Aung Hlaing, u emërua kryeministër në gusht të vitit 2021 dhe zgjati gjendjen e jashtëzakonshme deri në gusht të vitit 2023.

“Vlerësohet se të paktën 1.500 njerëz kanë vdekur dhe 11.000 janë arrestuar që kur ushtria mori pushtetin. Ne kërkojmë që qeveria e zgjedhur të kthehet në pushtet”, tha një nga autorët e rezolutës, deputeti irlandez, Sean Kelly.

Related Articles

Back to top button
Close
Close