
Në seancën e sotme të 17-të, Qeveria e Republikës së Maqedonisë Veriore shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për pakon e re të masave kufizuese të BE-së lidhur me situatën në Ukrainë, me rekomandim që Maqedonia e Veriut t’i bashkohet të gjitha vendimeve të BE-së për këtë lloj masash kufizuese.
Në këtë fazë, masat kufizuese të synuara të BE-së, të cilave u është bashkuar edhe vendi ynë, përfshijnë masa të synuara për një numër të caktuar politikanësh dhe biznesmenësh që kanë luajtur një rol në situatën në Ukrainë dhe atyre u ndalohet të udhëtojnë nëpër vendet e BE-së, si dhe ndalimi i aksesit në burimet financiare të Bashkimit.
Masat e synuara i referohen edhe kufizimeve në funksionimin e disa bankave të Federatës Ruse me institucionet financiare të BE-së dhe shteteve anëtare të saj.
Në këtë seancë, Qeveria shqyrtoi edhe Informatat për nevojën për strehim të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe familjarëve të tyre pas evakuimit të tyre nga Ukraina.
Qeveria e ka porositur Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbledhë kërkesat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe anëtarëve të familjeve të tyre që ndodhen në rajonet e krizës në Ukrainë dhe të cilët do të kërkojnë mbrojtje dhe strehim të përkohshëm, por nuk kanë strehim të tyre në Maqedonia e Veriut, në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për të siguruar akomodim në lokacione të përshtatshme në vend.



