
Botuesi Nikollë Lesi ka analizuar situatën politike në vend dhe ka bërë parashikimin e radhës.
Më anë të një editoriali në gazetën “Koha Jonë”, Lesi parashikon zgjatjen e pushtetit të Edi Ramës, shpëtimin e Lulzim Bashës nga Sali Berisha, arrestimin e këtij të fundit dhe shkrirjen e PD-së.
Lesi është ndalur tek Foltorja e Berishës që ka ngritur peshë zemrat e demokratëve, që sipas tij janë të lodhur dhe të dërrmuar nga humbjet Berishës dhe reagimet e Bashës, i cili thotë se “Unë nuk jam nga ata që shfrytëzoj momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë e kush i mbush sallat më shumë”.
Lesi shkon më tej, ndërsa shkruan se Basha po shfrytëzon të gjitha njohjet për arrestimin e Berishës.
“Lulzim Basha po luan ndryshe, pa shumë zhurmë dhe siç e njoftoi përjashtimin e Berishës pa lajmëruar njeri në PD, dhe një ditë para, ka mundësi të veprojë edhe në skenarin që po luhet për të arrestuar ish-kryeministrin Berisha.
Burime shumë të besueshme tregojnë se SPAK po nxiton në dosjen e ish-kryeministrit Berisha, pasi janë dërguar me urgjencë shumë dokumenta nga kryeministria dhe nga ministritë e ndryshme për të gjetur fakte komprementuese ndaj Sali Berishës”, shkruan Lesi.
Shkrimi i plotë:
Konflikti mes Berishës dhe Bashës po nxjerr përditë ngjarje e fakte të reja për marrëdhëniet e tyre si dhe publiku po bëhet më i qartë se kush mbetet i pabesi në këtë rast.
Nga Dibra, dje, Berisha e sakatoi Lulzim Bashën edhe me argumenta, edhe me ironi, por kryesisht me elektorat. Rrugët e Dibrës ishin plot demokratë që priten ish-liderin e tyre, sikurse salla e tejmbushur tregoi se sa ishin të zjarrtë mbështetësit e Berishës.
Thirrjet e sallës që i drejtoheshin Sali Berishës se nuk ke nevojë për firma delegatësh, pasi ke krejt PD-në, por na udhëhiq drejt kryeministrisë që të fillojmë protestë ditë-natë deri në rrëzimin e kryeministrit Rama, pra kjo tregon se demokratët e thjeshtë, të lodhur nga varfëria dhe nga humbjet e njëpasnjëshme të kryetarit Basha në disa zgjedhje, nuk durojnë më, por duan përballje me regjimin.
Ndërkohë sot doli Lulzim Basha dhe përçmoi Berishën, bile e ironizoi kur tha se ““Kam dalë më shumë se çdo kryetar i PD në këtë 30 vite e do dal përsëri. Unë nuk jam nga ata që shfrytëzoj momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë e kush i mbush sallat më shumë, se e di që ajo është një garë e lehtë për mua. Inatçorëve iu them se rruga pa krye ku janë futur dhe abuzimit që i bëjnë do iu vijë me faturën që s’ua kam dhënë këto tetë vite”, u shpreh Basha.



