
Policia e Tetovës ka dalë me detaje rreth aksidentit të sotëm që ka ndodhur në autostradën Shkup – Tetovë. Sipas njoftimit të policisë, një 45 vjeçare ka humbur jetën në këtë aksident. “Sot rreth orës 10:50 në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë është raportuar se në autostradën Shkup – Tetovë, në afërsi të mbilkalimit të Debërcës, gjegjësisht në fillim të lokalitetit “Erebinë”, vetura “Toyota Rav” me targa të huaja (targa amerikane) e drejtuar nga 45 vjeçarja F.L. nga Dobroshti i Tetovës, e cila ishte vetëm në automjet, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Në këtë aksident F.L. ka pësuar lëndime të rënda trupore nga të cilat ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vendi i aksidentit po inspektohet nga Prokurori Publik, në të cilin po merr pjesë edhe ekipi nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë”, njoftoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Kjo është viktima e dytë brenda dy ditëve në autostradën Shkup – Tetovë si pasojë e aksidentit. (U.H).



