
Oficeri i Policisë së Lezhës, Saimir Hoxha, i cili u vra nga i riu Aldi Rama, ditën e djeshme, gjatë një aksioni anti-drogë po përcillet për në banesën e fundit. Ndërkohë ka ndërruar jetë edhe 21-vjeçari, i cili u gjet i vetplagosur nga policia, pas disa orë kërkimesh. Ceremonia mortore e Aldit ende nuk është njoftuar se ku do të mbahet dhe në cilën orë.
Ditën e djeshme, oficeri Saimir Hoxha shoqërohej nga dy kolegë të tjerë kur i ngritën postbllok makinës ku udhëtonte Aldi Rama me dy shokët e tij, Armando Marku, 26 vjeç dhe Kristian Sheri, 27 vjeç, banues në Lezhë.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka mundur të sigurojë edhe fotot e parcelave me hashash që oficeri Saimir Hoxha, bashkë me dy kolegët e tij mundën të asgjësonin pak para se të ndodhte ngjarja e rëndë.
Mbrëmjen e djeshme e ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, gazetarja Hoxha zbuloi dinamikën e ngjarjes.
Anila Hoxha: Sipas burimeve dje i është përcjell komisariatit të Lezhës informacion për një parcelë droge dhe prandaj shkuan aty. Saimiri dhe dy të tjerë, ishin pa uniformë me jelekun që lexon policia, asgjësuan kanabis dhe në rrugën e kthimit, sipas dëshmive të dy oficerëve, mjeti i tyre ndeshet me një tjetër ku ishin 3 persona.



