LajmeMaqedoniTopLajm

Teuta Arifi takon dhe falënderon stafin mjekësor të spitalit të Tetovës për kontributin e dhënë në mbrëmjen e 8 shtatorit

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka takuar sot stafin mjekësor të Spitalit të Tetovës. Ajo ka falënderuar stafin mjekësor për kontributin e dhënë në mbrëmjen e 8 shtatorit, ku spitali modular në Tetovë u përfshi nga zjarri, për të parandaluar, siç tha ajo, një tragjedi edhe më të madhe.

“Sot është dita juaj e nderi, dua t’ju falënderoj nga zemra në emër të të mbijetuarve, por edhe në emër të gjithë qytetit tonë. Unë e di se në këtë kohë të shkurtra, mbase nuk mund të identifikohen të gjithë ata që ndihmuan dhe jo të gjithë të jenë këtu sot, por mirënjohja jonë është për të gjithë ata që kontribuan që kjo tragjedi të mos përkeqësohej, të mos bëhej akoma më e madhe, akoma më e rëndë, më e vështirë për tu përjetuar. Ne kurrë nuk do t’i harrojmë viktimat e tetë shtatorit, por atëherë kur do t’i përkujtojmë ata, do t’i përkujtojmë veprat e të gjithë juve”, deklaroi Arifi.

Duke folur për tragjedinë, ajo tha se, në ditët e kaluara të gjithë u tronditëm thellë për viktimat e tragjedisë së tmerrshme të mbrëmjes së 8 shtatorit dhe ne të gjithë jemi ende në zi.

“Të gjithë jemi të pikëlluar për ata që humbën jetën dhe sot të gjithë së bashku qëndrojmë pranë familjeve në këto ditë më të errëta të historisë së Tetovës. Por edhe tani kur gjithçka shfaqet e errët dhe e trishtë, ne nuk duhet ta harrojmë dritën. Drita e 12 pacientëve që mbijetuan, për shkak të mjekëve dhe infermierëve guximtarë dhe gjithashtu civilëve që ndihmuan evakuimin e këtyre pacientëve nga ky ferr zjarr dhe zjarrfikësit që e shuan zjarrin shpejtë dhe në mënyrë profesionale, parandaluan rrezikun për të pasur tragjedi për më shumë njerëz dhe policia jonë që siguroi vendin dhe mbajti rendin në një situatë të ndjeshme të rrezikshme, bashkë me forcat e ushtrisë. Gjithashtu, dua të përmend edhe ata që qëndruan pranë familjeve dhe që vazhdojnë t’i mbështesin për të tejkaluar këtë tragjedi. Guximi, profesionalizmi dhe solidariteti juaj na japin shpresë dhe dritë në këto ditë të errëta”, deklaroi Teuta Arifi.

Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe myftiu i Tetovës, Qani Nesimi, i cili në fjalimin e tij përgëzoi të gjithë ata që dhanë kontribut natën kur ndodhi tragjedia.

“Në emër të myftinisë, të gjithë ju shpreh ngushëllime për ata të cilët sot nuk jetojnë, dashtë Zoti që të mos përjetojmë ne dhe askund në botë fatkeqësi të këtilla që i përjetuam më 8 shtator”, tha Nesimi./portalb

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close