
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka theksuar se 27 Prilli i vitit 2017 nuk duhet asnjëherë të harrohet. Ai këtë koment e bëri pasi u pyet për prononcimet e shpeshta të Zv/Kryeministrit të Parë, Artan Grubit, i cili ndër tjera, marrëveshjen e opozitës shqiptare dhe maqedonase për bashkëpunim për zgjedhjet lokale, e quan edhe “Koalicioni 27”.
ALI AHMETI – KRYETAR I BDI-së
‘Sa I takon 27 Prillit nuk duhet të harrohet aq lehtë, sepse aty ka patur një tentativë tepër të organizuar, skenarë nga më të rrezikshme. Dhe, që kujtohet, bëjnë mirë që e kujtojnë, sepse ne shpejtë harrojmë. 27 Prilli, këtij vendi nuk duhet t`I përsëritet”
Një ndër përbetimet kryesore që kreu i integristëve ua la si “amanet” krerëve të ardhshëm të Komunave, është lufta kundër korrupsionit. Ai tha se kjo dukuri duhet të luftohet nga të gjithë.
ALI AHMETI – KRYETAR I BDI-së
“Korrupsion ke edhe në shtetet e përparuara, mirëpo organizimi dhe mobilizimi është shumë më i lartë se sa në vendin tonë. Në komunikim të përhershëm janë mediumet, shoqëria civile dhe gjithçka e keqe, gjithçka e shëmtuar bashkërisht duhet të luftohet dhe nuk duhet lënë përgjegjësia vetëm tek autoritet politike”.
“Të korruptuarit nuk mund ta luftojnë korrupsionin”. Në këtë mënyrë janë kundërpërgjigjur nga Aleanca për Shqiptarët. Sipas tyre, nuk mund të pritet që ta luftojnë korrupsionin ata që për 20 vite e instaluan atë në çdo pore të sistemit. ASH-ja konsideron se mënyra e vetme për ta luftuar korupsionin është që BDI-ja t`i humb zgjedhjet.
ASH
Korrupsioni do të merr goditjen fatale nga qytetarët në zgjedhjet lokale dhe më pas edhe në ato parlamentare. Deklarata e Ali Ahmetit se kjo çështje nuk duhet t’i lihet vetëm politikës, është vetëm një tentim për t’ua hedhur fajin edhe mediave, sektorit civil dhe qytetarëve. Këtyre të fundit ne u bëjmë thirrje që bashkërisht t’i adresojmë dhe luftojmë të korruptuarit dhe t’ua heqim nga duart çdo pushtet e mundësi për krim dhe korrupsion dhe të mos lejojnë edhe më tej që dikush si Ahmeti e BDI t’i njollosë pa të drejtë”
Derisa analistët dhe vëzhguesit në vend, për shkak të koalicioneve ndëretnike, përjashtojnë retorikën nacionaliste gjatë fushatës parazgjedhore, duket se retorika me akuza e kundërakuza mes partive shqiptare në pushtet dhe në opozitë, do të përforcohet gjatë kësaj periudhe kur vendi gjendet në prag të zgjedhjeve lokale./Derveni.info



