
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, foli në Forumin në Bled për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zaev tha se Maqedonia e Veriut është vendi që ka pritur më shumë për integrimin, plot 16 vite e gjysmë.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka bërë mjaft reforma, që kanë çuar në përmirësimin e ekonomisë së vendit, ndërsa ka shtuar se BE duhet të hedhë hapin tjetër drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të ruhet motivimi i këtyre vendeve.
Kjo na bën që t’i mbajmë të rinjtë tanë në vendin tonë dhe ata të mos largohen. Në këtë drejtim nuk është e lehtë të jesh kandidate për 16 vite e gjysmë. Maqedonia e Veriut është vendi që ka pritur kohën më të gjatë për hapjen e negociatave. Kroacia ka festuar 15-vjetorin e anëtarësimit në BE, ndërsa ne kemi marrë rekomandime pozitive, konsensus nga vendet e BE, megjithatë ende nuk është çelur konferenca e parë ndërqeveritare, për të vijuar me procesin e mëtejshëm drejt integrimit.
Për ne nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç asaj të BE. Është si ai individi që do të bëhet pjesë e familjes, por familja nuk e pranon se nuk është ende gati. Ne nuk kemi familje tjetër, kjo është familja jonë. Ne mund të vazhdojmë të europianizojmë vendet tona, sepse ne besojmë në vlerat evropiane, ndaj dhe do të vijojmë në këtë rrugëtim. Kemi çelur nisma të tjera rajonale, si “Ballkani i Hapur”, duke shpresuar që BE të ketë kurajo të mjaftueshme për të hedhur hapin tjetër. Neve na duhet të hidhet hapi tjetër, që të ruhet motivimi ynë dhe të dimë që një ditë do të integrohemi”, tha Zaev.



