
Nga fillimi i pandemisë së Covid-19, nga aeroporti i Rinasit kanë fluturuar 565 chartera ambulancë drejt Turqisë dhe më pak drejt Italisë, duke u kushtuar pacientëve shqiptarë mbi 6.7 milionë euro për udhëtime dhe 12 milionë euro të tjera për kurimin në spitalet private.
Bilal A*, 54 vjeç, zbuloi se kishte COVID-19 pas një skaneri në 10 gusht. Burri thotë se u shqetësua, por jo aq sa të alarmohej. Ai mori mjekime dhe për 10 ditë u kurua në shtëpi, por gjendja nuk po përmirësohej.
“Temperatura nuk po binte, gjendja u përkeqësua,” i tha ai BIRN, duke kërkuar që të mbetej anonim.
54-vjeçari që drejton një biznes funeral në Tiranë iu drejtua Spitalit Infektiv në ditën e 11-të, i sëmurë rëndë, por qëndroi aty më pak se 48 orë. Ai thotë se një prej mjekëve që kujdesej për të i kishte thënë se aty “nuk mund të shpëtonte”.
“Shqiptarët paguajnë siguracione shëndetësore në shtet, por nuk marrin shërbimin,” përfundoi mjekja Arjana Sina.



