
Shkuarja vonë tek mjeku, komorbiliteti dhe shkalla e ulët e vaksinimit, kanë çuar në numrin e lartë të vdekjeve nga COVID-19.
Gjatë javëve të fundit, në Maqedoninë e Veriut, krahas rritjes së numrit të të infektuarve, rritje drastike ka shënuar numri i vdekjeve nga komplikimet që shkakton lloji Delta, variant i COVID-19.
Mjekët, thonë Që pacientët shumë vonë kërkojnë ndihmë shëndetësore, që çon në vdekjen e pacientëve krahas shkallës së ulët të vaksinimit në rajone të caktuara të vendit.
Nga lloji Delta i koronavirusit të ri mbeten më të prekur grupmoshat e reja
Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, kanë bërë të ditur se vala e katër e infeksionit me kornavirusin e ri, ku dominon lloji Delta, ka ulur kufirin e moshës së personave të infektuar, me çrast, kanë nënvizuar se me simptoma më të rënda manifestohet tek grupmoshat më të reja të cilët nuk janë vaksinuar.
Së fundmi, në Tetovë betejën nga COVID-19 e ka humbur një i ri 21 vjeçar, i cili më shumë se dhjetë ditë ka qenë i shtrirë në spitalin e Tetovës, në repartin e infektologjisë.
Ekipi mjekësor dyshon se i riu ka vuajtur nga ndonjë sëmundje e panjohur, megjithëse nuk kanë arritur ta diagnostikojnë, për aq kohë sa ai ka qëndruar në repartin e infektivës, në gjendje të rënduar shëndetësore.
“Gjatë pranimit, i riu ishte në një gjendje të rëndë shëndetësore, i është dhënë terapia, por dy ditët e fundit iu keqësua edhe më shumë gjendja dhe u vendos në ventilator jo-invaziv, por as kjo nuk ndihmoi dhe pacienti e humbi jetën. Gjatë kësaj kohe, ne në bazë të të dhënave që i kemi në historikun e pacientit, nuk arritëm të regjistrojmë ndonjë sëmundje komorbiliteti që do ta komplikonte gjendjen e pacientit”, thotë për REL, Gëzim Nuredini mjek infektolog në spitalin e Tetovës.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, nga koronavirusi i ri, jetën e kanë humbur 29 persona si dhe janë regjistruar 1 mijë e 166 raste të reja, ndërkohë që për momentin, në tërë vendin ka 171 mijë e 576 raste aktive me COVID-19.
Maqedonia e V. me numrin më të madh të vdekjeve nga koronavirusi në rajon
Krahasuar me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut ndodhet në krye të listës për sa i përket vdekjeve nga koronavirusi i ri.
Të dhënat e 24 gushtit, tregojnë se gjatë 24 orëve,në Bullgari, shtet ky me 7 milionë banorë nga COVID-19, jetën e kanë humbur 33 persona, po të njëjtën ditë në Greqi, shtet ky që ka 5 herë më shumë banorë se Maqedonia e Veriut, nga COVID-19, jetën e kanë humbur 32 persona, po të njëjtën ditë nga COVID-19 në Serbi janë regjistruar 8 viktima, në Shqipëri 2 dhe Kosovë 19, kundrejt Maqedonisë së Veriut ku nga COVID-19, jetën e humbën 30 persona.



