
Skenderaj është qyteti i parë që është përballur me luftë të ashpër me forcat serbe duke shënuar kështu edhe fillimin e rezistencës së hapur me luftë ndaj okupatorit serb, por që është qyteti i fundit që u çlirua. Arsyen se pse Skenderaj u çlirua i fundit Lushtaku thotë të mos e ketë të qartë por supozon se kjo ka ndodhur si rezultat i koncentrimit të madh të forcave serbe në këtë rajon.
“Për mua kanë qenë emocione shumë të përziera. Së pari s’kam pritur fare se do ta përjetojë ditën e çlirimit ta përjetoi atë kënaqësi, por njëkohësisht jam ndjerë edhe i mërzitur. Sepse një pjesë e shokëve të mi dhe shumë qytetarë ishin të vrarë dhe shumë familje kishin mbetur pa më të dashurit e tyre, kështu që emocionet kanë qenë tepër të përziera. E kam pasur shumë të vështirë kur kam hy në Skenderaj dhe ajo ditë për mua nuk harrohet asnjëherë, asnjëherë”, ka thënë për Gazetën Infokus, ish komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.



