
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se ka kërkuar nga ai që dialogu të mos ketë befasi, ndërsa u shpreh se do të ishte me dobi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht presidenti Joe Biden të emërojë një emisar në dialogun Kosovë-Serbi.
Haradinaj tha se në këtë takim me Kurtin ka dëgjuar pikëpamjet e kryeministrit për dialogun dhe ka shprehur shqetësimet e tij për këtë proces si lider i AAK-së, raporton Telegrafi.
“Hetojmë një mungesë të prezencës së SHBA-ve në dialog… Mendoj se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancën e interesave të Kosovës në dialogun me Serbinë. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari për dialogun nga presidenti amerikan Joe Biden”, tha kreu i AAK-së.
Sipas tij, shqetësuese është edhe fakti se “ka konfuzion në agjenda”, pasi siç tha ai disa zhvillime prezantohen si agjendë e Berlinit, siç është ajo e lëvizjes së lirë me Bosnjën.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Haradinaj tha se peshën kryesore e ka Mirosllav Lajçak e që siç tha ai është nivel i ulët i përfaqësimit.



