
Në vitin 2020 Avokati i Popullit ka vepruar për 2.931 parashtresa, prej të cilave 2.448 ishin zbatuar në vitin vijues ndërsa 483 janë bartur nga viti i kaluar. Këto të dhëna janë dhënë në Raportin vjetor për shkallën e sigurimit të respektimit, zhvillimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në vitin 2020, që e prezentoi sot Avokati i Popullit, Naser Ziberi.
“Ky është numër relativisht i vogël i parashtresave – vetëm për krahasim, në vitin 2019 Avokati i Popullit ka vepruar për 4.705 parashtesa – prej të cilave 3.453 të pranuara në vitin vijues, ndërsa në vitin 2018 ky numër ka qenë 4.482 prej të cilave 3.458 janë pranuar në vitin vijues – nuk do të thotë se nuk ka pasur shkelje të të drejtave të qytetarëve. Do të thosha se druajtja nga virusi dhe kujdesi për shëndetin te shumë qytetarë ka ndikuar dhe janë përmbajtur të vijnë personalisht në zyrën e Avokatit të Popullit”, tha Avokati i Popullit, Ziberi.
Ziberi theksoi se rrethanat e jashtëzakonshme kanë imponuar edhe përshtatjen e mënyrës së punës në të gjitha institucionet ndërsa në njëfarë mënyre e kanë ndryshuar edhe fokusin e punës së Avokatit të Popullit i cili krahas ankesave të qytetarëve ishte drejtuar nga dekretet e sjellja nga Qeveria, ndërsa të cilat kanë ndikuar mbi liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
Ziberi theksoi se vitin e kaluar veçanërisht janë prekur fëmijët për shkak të mënyrës së ndryshuar të mësimit për nxënësit, gjegjësisht nga vendosja e mësimit onlajn.
Kjo, siç theksoi Ziberi, ka krijuar probleme për një numër të madh fëmijësh të cilët për arsye teknike, mospasjen e internetit, kompjuterit, tabletit, u penguan ose me vështirësi e kanë ndjekur procesin mësimor.
Shtoi se edhe shkyçja nga rrjeti elektrik i familjeve të cilat kishin borxhe të papaguara shtesë ka krijuar probleme me ndjekjen e mësimit prandaj kishim raste të tilla kur fëmijët-nxënës është dashur të gjenden vet – të shkojnë tek fqinjët për ta ndjekur mësimin.
Për këtë problem, tha Ziberi, Avokati i Popullit ka alarmuar dhe ka dhënë sugjerime se institucionet kompetente duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat që asnjë fëmijë të mos mbetet jashtë procesit arsimor në vitin 2020/2021. Shtoi se pandemia në mënyrë mjaft negative u reflektua mbi personat me pengesa-fëmijët të cilët thjeshtë nuk kanë mundur ta ndjekin mësimin.
“Fokus i veçantë iu vendos personave të privuar nga liria, nga aspekti i masave të ndërmarra për mbrojtjen e shëndetit të tyre – janë dërguar shkresa në të gjitha burgjet, me qëllim që të përcaktohen masat të cilat janë ndërmarrë në këtë drejtim. Gjendja në burgje ndiqej në vazhdimësi, si nga shërbimi profesional ashtu edhe nga Mekanizmi parandalues nacional i cili gjatë vitit i kreu më shumë vizita për shkak të shqyrtimit të gjendjeve”, tha Ziberi.
Qytetarët, siç theksoi Ziberi edhe vitin e kaluar më së shumti janë ankuar për realizimin e të drejtave të tyre nga sfera e gjyqësisë, me ç’rast janë shtruar 406 parashtresa, prej të cilave pjesa më e madhe – 195 kishin të bëjnë me punën e përmbaruesve.
Për shkak të kësaj gjendje, shtoi Ziberi e cila zgjat me vite, Avokati i Popullit ka rekomanduar për veprimin në kohë të Komisionit disiplinues të Odës së Përmbaruesve për kërkesat e palëve për ngritjen e procedurës disiplinore kundër përmbaruesve të pandërgjegjshëm, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.
Ziberi në fund theksoi se edhe gjatë vitit raportues mbetet konstatimi i Avokatit të Popullit se në vend statusin e shtetësisë akoma nuk e kanë zgjidhur persona të cilët kanë lindur në vend para shpalljes së pavarësisë së shtetit në vitin 1991 dhe në vazhdimësi jetojnë në vend me familjet e tyre, në shtëpitë dhe pronat e tyre.



