LajmeSport

Michael Oliver po prish kampionatin rasti kunder Arsenalit nën akuzë!

Konsiderohet si kampionati më i bukur dhe më spektakolar në rruzull, megjithatë në aspektin e gjykimit Premiership-i Anglez ka ende shumë punë për t’u matur me kompeticionet e tjera elitare të Kontinentit të Vjetër, që plotësojnë edhe kurorën e 5 aktiviteteve më të rëndësishme në Evropë, pra Premier League, Primera Division, Serie A, Bundesliga apo dhe Le Championnat. Sezonin e kaluar në ishull arbitrave kryesorë iu kërkua që të shmangnin sa më shumë që të ishte e mundur këqyrjen e pamjeve të diskutueshme në monitorët ndanë fushës, me qëllimin për të mos ngadalësuar ndeshjet dhe influencuar në ritmin e takimeve të kampionatit anglez.

Pra sezonin e kaluar me synimin për të përshpejtuar lojën, të drejtën e vendimarrjes e kishin pikërisht personat e ngarkuar në Stockley Park, me monitorimin e ndeshjeve nëpërmjet pamjeve të Sistemit VAR. Si Video Assistant Referee alternoheshin vazhdimisht gjyqtarët kryesorë që ngarkoheshin me drejtimin e sfidave dhe në mënyrë të kuptueshme e njëjta procedurë ndiqet edhe në kampionatin e sivjetshëm, por krejt ndryshe nga edicioni i kaluar këtë herë në sezonin 2020-21 të drejtën për të dhënë vendimin përfundimtar e kanë më së shumti pikërisht arbitrat kryesorë.

Një ndryshim i tillë ka shkaktuar habi, pështjellim dhe për rrjedhojë në fushë janë marrë vendime nga më të cuditshmet, e për hir të së vërtetës në sezonin aktual të Premier League-s kanë ndodhur nga të gjitha, në aspektin e gjykimit. Tani shumë situata të ngjashme trajtohen në mënyrë krejt tjetër nga disa gjyqtarë të ndryshëm dhe arbitrat kryesorë shpesh herë ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatet përfundimtare të ndeshjeve. Për të mos shkuar larg, në harkun e vetëm 11 ditëve kanë ndodhur dy episode shumë të rënda që kanë ndikuar direkt në rezultat. Kështu më datën 4 mars në Craven Cottage në derbin londinez Fulham-Tottenham sulmuesi Josh Maja mendoi se barazoi rezultatin dhe festoi me gjithë shokët e tij, ndërsa futbollistët e “spurs” kokëulur u nisën për të vënë topin në qendër të fushës. Për të gjithë ishte gol, përvec kryesorit David Coote, që pas sinjalizimit të ndihmësve të tij në Londër, vendosi në mënyrë absurde për ta anuluar golin.

Ky episod ndodhi pak pasi kaloi një orë lojë. Qendërmbrojtësi kolumbian Davinson Sanchez  u mundua të largojë topin nga zona e tij, sfera u përplas te dora e ngjitur pas trupit e mesfushorit nga Gaboni Mario Lemina dhe pas topit të kthyer 22-vjecari nigerian ia doli për të gjetur rrjetën. Të gjithë në këtë lloj sporti, duke filluar që nga fëmijët dhe moshat më të vogla janë rritur me idenë që dora ngjitur nuk konsiderohet si faull. Ky vendim skandaloz i shtrëngoi menjëherë drejtuesit e IFAB-it, organit të posacëm që merret me rregullat e lojës në këtë sport, për të ndryshuar me urgjencë rregulloren e futbollit, përsa i përket prekjeve të topit brenda zonës në mënyrë të pavullnetshme. Nëse Fulhami do të rrëzohet për vetëm 1 pikë në Championship atëherë ky episod do të kujtohet vërtet gjatë, gjithsesi kaluan vetëm 10 ditë dhe po në një sfidë të Tottenham-it u regjistrua një tjetër episod tepër i diskutueshëm, që riktheu sërish polemikat në ishull, në lidhje me detyrat, funksionet apo dhe kompetencat e njerëzve të ngarkuar në Sistemin VAR.

Bëhet fjalë për derbin e datës 14 mars, pikërisht të dielën e kaluar dhe 11-metërshin e akorduar nga Michael Oliver, penallti që rezultoi përcaktuese në fitimin e derbit të Londrës Veriore nga ana e “topcinjve”, me rezultatin 2-1. Si për ironi të fatit gjithcka ndodhi përsëri në 62’, në një tjetër derbi londinez të gjelave, ku sërish protagonist u bë mbrojtësi me numrin 6. Kur takimi ishte mbërthyer në shifrat 1-1 në Stadiumin Emirates të kryeqytetit 36-vjecari nga Ashingtoni konsideroi si të parregullt ndërhyrjen brenda zonës të kolumbianit Davinson Sanchez në dëm të sulmuesit të Arsenalit Alexandre Lacazette dhe pa hezituar aspak Oliver bëri shenjë me dorë drejt pikës së bardhë të penalltisë. Fillimisht askush nuk e vuri në dyshim vendimin e kryesorit Michael Oliver, por pamjet e përsëritura nga të gjitha këndet konfirmuan qartë që ky episod nuk kishte fare lidhje me një 11-metërsh.

Në të vërtetë asistentët e Sistemit VAR nuk ndërhynë dhe nuk e kundërshtuan fare vendimin e kryesorit Michael Oliver, por shpjegimi i vetëm që ata dhanë ishte, se 36-vjecari kishte pamje plotësisht të lirë përpara vetes për të gjykuar një rast të tillë. Sfida Arsenal – Tottenham përfaqëson ndeshjen më të egër në historinë armiqësore të këtyre dy klubeve dhe “topcinjtë” e “gjelat” urrehen pa masë për shkak të rivalitetit të tyre shekullor. Ashtu sic edhe pritej menjëherë pas përfundimit të takimit shpërthyen polemika të jashtëzakonshme. Gazetarë, analistë, specialistë të moviolës, ish-gjyqtarë dhe ish-futbollistë të famshëm kritikuan ashpër pa humbur kohë kryesorin Michael Oliver për protagonizmin e tij. Premier League është një kompeticion ku qarkullojnë miliarda stërlina, por së fundmi po dalin në dritë fakte interesante që zbulojnë se drejtuesit kanë lënë hapësira që mund të dëmtojnë rëndë gjithë strukturën dhe sistemin e ngritur në afërsisht tre dekada.

Në kolegjiumin e gjyqtarëve 19 arbitra janë përcaktuar për të drejtuar vetëm në sfidat e Premiership-it Anglez, por janë vetëm dy prej tyre: Michael Oliver dhe Martin Atkinson ata që gëzojnë një reputacion të vecantë për shkak të statusit, famës dhe egos së tyre, që i mundëson përmbysjen e vendimeve të Sistemit VAR, apo qoftë edhe injorimin e këshillave që vijnë nga Stockley Park, në rrethinat e Londrës ku monitorohen të gjitha ndeshjet e kampionatit anglez. Kolegët e tyre kanë rrëfyer se si njëri ashtu edhe tjetri pretendojnë se janë të pagabueshëm dhe nuk parapëlqejnë të kundërshtohen në vendimet që ata marrin, prandaj edhe në shumë e shumë raste kur Michael Oliver dhe Martin Atkinson janë arbitra kryesorë asistentët e tyre në Sistemin VAR vlerësojnë kryesisht afërsinë me aksionin, pozicionin e tyre dhe fushë pamjen.

Nëse këndi është ai i duhuri dhe pamja është e lirë, atëherë nga Stockley Park lënë në fuqi vendimin e fushës, duke mos hapur polemika pikërisht me këta dy gjyqtarë. Dermot Gallagher, që ka qenë për plot 15 vjet nga 1992 deri në vitin 2007 një ndër gjyqtarët më të mirë të Premier League-s tha se Michael Oliver ka gabuar rëndë, pasi aty nuk ka asgjë për 11-metërsh, por 63-vjecari irlandez shtoi gjithashtu se VAR-i nuk mund ta prapësojë vendimin e arbitrit kryesor, për shkak të pamjes së tij të qartë dhe vendimit të fushës. Pra me një logjikë të thjeshtë nëse gjyqtari ka fushë pamje të lirë dhe e shikon dicka në mënyrë të gabuar dhe krejt ndryshe nga të tjerët, asgjë nuk mund të prapësohet, pasi në fund i jepet prioritet pikërisht vendimit që ka marrë arbitri kryesor në fushën e lojës. Gallagher e mbylli fjalën e tij duke shtuar se në një sistem të tillë është pikërisht ky lloj ngërci që influencon herë pas here dhe prodhon shpesh vendime të diskutueshme.

Një ndër mbrojtësit më të mirë në historinë e Premier League-s Rio Ferdinand e konsideroi si shumë të tmerrshëm vendimin e 36-vjecarit Oliver për ta vlerësuar me 11-metërsh duelin Lacazette–Sanchez, për më tepër edhe vetë sulmuesi i Arsenalit Alexandre Lacazette që ishte protagonist në atë episod, menjëherë pas ndeshjes deklaroi se mbeti i habitur dhe u ndje vërtet me shumë shumë fat që kryesori Michael Oliver e vlerësoi atë situatë me penallti. Në fund, pasi kritikoi ashpër skuadrën e tij për lojën shumë të dobët në pjesën e parë vetë trajneri i spurs Jose Mourinho u mbrojt, duke thënë se ishte Michael Oliver me atë 11-metërsh të paqenë shkaku përse “topcinjtë” fituan derbin e Londrës Veriore, madje 58-vjecari nga Setubali deklaroi se ashtu si trajnerët edhe gjyqtarët duhet të japin llogari dhe të flasin pas cdo takimi për të justifikuar vendimet që ndikojnë në rezultatin e ndeshjeve.

Trajneri i mirënjohur portugez tha se edhe arbitrat duhet të pushojnë dhe se me shumë gjasa gjyqtari Michael Oliver ka ndjerë lodhjen e sfidës që drejtoi të enjten në mbrëmje në Europa League, Dynamo Kyiv–Villarreal që u luajt në Ukrainë. Trajneri luzitan e mbylli fjalën e tij duke shpjeguar se Michael Oliver sipas tij është një gjyqtar shumë i mirë, por ai vetë është i pafat në ndeshjet me të, duke patur parasysh të kaluarën, kur episode të ngjashme i kanë ndodhur Mourinho-s edhe gjatë kohës që ai ka drejtuar gjithashtu klubet e tjera të Manchester United apo Chelsea-t.

Related Articles

Back to top button
Close
Close