Identifikohet dhe arrestohet i dyshuari i parë për rrahjen e punëtorëve të Higjienës Komunale në Shkup

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka njoftuar se është identifikuar dhe privuar nga liria i dyshuari i parë për sulmin ndaj dy punonjësve të Higjienës Komunale në Shkup, gjatë mbrëmjes së 28 Nëntorit.

Sipas Isenit, bëhet fjalë për një person të mitur me inicialet N.K., ndërsa në lidhje me rastin është ftuar edhe babai i tij, Boris Kondarko.

Iseni bëri të ditur se hetimet po vazhdojnë intensivisht për identifikimin dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë rast.

Ai theksoi se policia disponon prova të mjaftueshme dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

„Siç premtova, ky rast nuk do të mbetet pa epilog. Përgjegjësi do të ketë për secilin që ka marrë pjesë në këtë sulm. Askush nuk është mbi ligjin!”, ka shkruar Iseni.