Arbër Ademi: Me VLEN-in jemi kthyer para vitit 2001, situata rreth 28 Nëntorit është alarmante

Sekretari i përgjithsëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar përmes një postimi lidhur me zhvillimet e fundit pas festimit të 28 Nëntorit, duke shprehur shqetësim për atë që e cilëson si rikthim të shqiptarëve në periudhën e viteve të nëntëdhjeta, shkruan Top24

Ademi thekson se paralajmërimet e tij se me VLEN-in shqiptarët janë kthyer para vitit 2001, sipas tij, po dëshmohen çdo ditë përmes ngjarjeve të fundit.

Në postimin e tij, ai rendit disa zhvillime që i konsideron alarmante: dënimin me tre muaj burgim me kusht të një të riu nga Kumanova për përdorimin e flamurit kombëtar, 13 shkeljet e rendit publik dhe arrestimin e tre personave gjatë festimeve të 28 Nëntorit, si dhe ndalimin e aktiviteteve festive në qytete shqiptare, përfshirë Strugën.

Ademi shpreh shqetësim edhe për deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me arsimin e lartë në gjuhën shqipe, të cilin ai e ka cilësuar si “implant”, si dhe për rastin e rrahjes së dy shqiptarëve nga persona të identifikuar si pjesëtarë të grupit të tifozëve “Komiti”.

Në reagimin e tij, Ademi përmend gjithashtu një video kërcënuese të huliganëve maqedonas, me mesazhe frikësuese ndaj shqiptarëve.

Sipas Ademit, këto zhvillime nuk mund të trajtohen si incidente të izoluara, por kërkojnë vëmendje dhe reagim serioz.

Në fund të postimit, ai ngre një pyetje që pasqyron shqetësimin e tij për situatën aktuale:

“A të rrijmë rahat, a?”