Zv.kryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, së bashku me shefin e Sektorit të Arsimit, Valedin Ademi, morën pjesë në aktivitetin “Krenaria e Kombit në Ngjyrat e Traditës”, organizuar nga Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë, në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin, përcjell Top24.
Në qytetin historik të Vlorës, aty ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Qamili përshëndeti të pranishmit në emër të Komunës së Tetovës, duke përcjellë mesazhin e krenarisë kombëtare, ruajtjes së traditës dhe vlerave të trashëgimisë shqiptare.
Një nga momentet më të veçanta të aktivitetit ishte sfilata e veshjeve tradicionale shqiptare, të përgatitura dhe prezantuara nga nxënësit e SHMK-së “Gjoce Stojçeski” në Tetovë. Përmes ngjyrave, motiveve dhe veshjeve të bukura popullore, nxënësit përfaqësuan Tetovën me dinjitet, kulturë dhe krenari.
Me këtë rast, Qamili përgëzoi drejtorin e shkollës, Muzafer Livoreka, stafin dhe nxënësit për angazhimin dhe punën e tyre, ndërsa shprehu mirënjohje për drejtoreshën e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Kozeta Halili, për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë.
Në përfundim, zv.kryetari Qamili përcolli urimet për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
“Falënderoj drejtoreshën e Muzeut, znj. Kozeta Halili, për ftesën dhe mikpritjen. Gëzuar 28 Nëntori!”, ka shkruar Qamili.


