Rrahja e dy shqiptarëve në festën e Flamurit, reagon edhe Abdulselam Selami

Këshilltari në Qytetin e Shkupit, Abdulselam Selami, ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj dy punëtorëve shqiptarë të NP-së „Higjiena Komunale“ në Shkup, të cilët dyshohet se janë rrahur nga një grup personash të panjohur në natën e 28 Nëntorit, në festën e Ditës së Flamurit.

Përmes një reagimi publik, Selami ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet kompetente që të ndërmarrin masa urgjente, të zbardhin plotësisht rastin dhe të identifikojnë personat përgjegjës, duke i nxjerrë ata para drejtësisë.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga kryetari i Qytetit të Shkupit dhe ndërmarrja „Higjiena Komunale“ që të japin sqarime për rastin, të garantojnë mbrojtjen e punëtorëve dhe ta dënojnë sulmin.

„Asnjë punëtor nuk duhet të jetë viktimë e dhunës gjatë ushtrimit të detyrave të tij të punës“, thuhet në reagimin e Selamit, i cili ka bërë thirrje që përgjegjësit të përballen sa më shpejt me organet e drejtësisë.