Pas shfuqizimit të Marrëveshjes Kolektive nga Kushtetuesja, ministri Sulejmani fton sindikatat në takim për gjetjen e zgjidhjes së re

Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, ka paralajmëruar intensifikimin e dialogut me sindikatat e kulturës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Marrëveshjes Kolektive për Kulturën dhe nenit 78-l të Ligjit të Kulturës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sulejmani ka bërë të ditur se për nesër ka paralajmëruar takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Kulturës të Republikës së Maqedonisë (SKRM) dhe të SASHK-ut.

Ai ka theksuar se qëllimi i takimit është gjetja e zgjidhjeve të pranueshme dhe të qëndrueshme për rregullimin e statusit dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të kulturës dhe artistëve.

Sulejmani ka theksuar se kontributi profesional i të punësuarve në kulturë duhet të vlerësohet siç duhet, ndërsa ka paralajmëruar se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore për lidhjen e një marrëveshjeje të re kolektive, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Postimi i plotë:

“Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin shfuqizohen në tërësi Marrëveshja Kolektive për Kulturën, si dhe neni 78-l të Ligjit të Kulturës, që nesër do t’i ftoj në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Kulturës të Republikës së Maqedonisë (SKRM) dhe të SASHK-ut. Qëllimi është që në periudhën e ardhshme ta intensifikojmë dialogun social dhe të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme për rregullimin e statusit dhe të drejtave të punonjësve të kulturës dhe të artistëve.

Vlerësoj se puna, angazhimi profesional dhe kontributi i të punësuarve në kulturë duhet të marrin vlerësimin e duhur. Në procesin që vijon, duhet të gjejmë zgjidhje që mbron siç duhet të drejtat dhe interesat e tyre. Do ta intensifikojmë dialogun social me sindikatat dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë ligjore për të përcaktuar modelin më të përshtatshëm dhe për të lidhur marrëveshje të re kolektive të kulturës brenda afatit të përcaktuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Angazhimi im është që, përmes dialogut të hapur, partneritetit dhe bashkëpunimit konstruktiv, të arrijmë zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, që garanton siguri juridike, mbron të drejtat dhe siguron vlerësimin e duhur të punës së të gjithë punonjësve të kulturës dhe artistëve”, ka përfunduar Sulejmani.