Ekspozita vjen pas pesë ditëve të punës artistike gjatë festave të Nëntorit, ku piktorët kanë paraqitur në telajot e tyre arkitekturën, kalldrëmet, dyqanet e zejtarëve dhe peizazhin urban të Shkupit.
Mexhiti ka theksuar se Komuna e Çairit e ka mbështetur këtë organizim me synimin që Çarshia e Vjetër, përveç funksionit turistik dhe tregtar, të shndërrohet edhe në një hapësirë të rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve artistike e kulturore.
“Përgjatë pesë ditëve të festave të Nëntorit, arkitektura, kalldrëmet, dyqanet e zejtarëve dhe peizazhi urban i Shkupit kanë marrë formë e ngjyrë në telajot e artistëve pjesëmarrës në koloninë e piktorëve ‘Shkupi në telajo’. Dhe sot, në Çifte Hamam, u ekspozuan veprat e tyre, duke na ofruar mundësinë ta shohim qytetin përmes këndvështrimeve të ndryshme artistike.
Si Komunë e Çairit, kemi mbështetur këtë organizim me synimin që Çarshia, përveçse destinacion turistik dhe tregtar, të jetë edhe vend i zhvillimit të aktiviteteve artistike e kulturore gjatë gjithë vitit.
Revitalizimi i Çarshisë së Vjetër është ndër prioritetet tona. Krahas restaurimit të objekteve, përmirësimit të infrastrukturës dhe zhvillimit të zejtarisë, po synojmë pra të krijojmë më shumë hapësirë për artin dhe artistët.
Falënderoj Institutin e Librit dhe të Promocionit për organizimin, si dhe të gjithë piktorët pjesëmarrës, të cilët përmes ngjyrave dhe teknikave të tyre artistike kanë sjellë interpretime të veçanta të trashëgimisë arkitekturore e kulturore të Çarshisë.
Do të vazhdojmë të mbështesim nisma të tilla dhe të krijojmë më shumë mundësi për ekspozimin e veprave të artistëve në Çair”, ka shkruar Izet Mexhiti.


