Për pacientët onkologjikë, çdo ditë pritjeje për terapi ka peshë të veçantë. Por, përveç betejës me sëmundjen, ata po përballen edhe me mungesën e barnave të nevojshme për trajtim, akuzon partia opozitare E Majta. Sipas kësaj partie, pacientët onkologjikë prej një jave po kthehen pa marrë terapinë me Taxol (paklitaksel), ndërsa furnizimi me anastrozol paralajmërohet vetëm pas 15 dhjetorit. Nga partia njoftojnë se mungon edhe gentamicina, ndërsa kërkojnë furnizim urgjent me barna dhe përcaktimin e përgjegjësisë për situatën e krijuar. “Në sistemin shëndetësor të DPMNE-së, pacientëve nuk u mjafton që duhet të zhvillojnë betejën më të vështirë të jetës së tyre, por duhet të luftojnë edhe me shtetin për të pasur një mundësi për të mbijetuar”, thuhet në kumtesën e së Majtës.
Nga kjo parti rikujtojnë se që në janar të vitit të kaluar, drejtori i atëhershëm i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, problemin e mungesës së barnave e kishte identifikuar te planifikimi joadekuat i furnizimeve, ndërsa gjatë këtij viti kishte garantuar se pacientët onkologjikë nuk do të mbeteshin pa terapi. “Pothuajse dy vjet më vonë, Klekovski është avancuar në ministër, ndërsa pacientët kanë pësuar regres në trajtimin e tyre”, reagojnë nga E Majta.
Përveç mungesës së barnave, E Majta kritikon edhe procesin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Sipas partisë, një pjesë e qytetarëve, veçanërisht ata jashtë Shkupit, ende presin të marrin ftesa për vaksinim. Në mesin e qytetarëve që vazhdojnë të presin, sipas opozitës, janë edhe personat e moshuar, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna, të cilëve ministri i Shëndetësisë u kishte bërë thirrje për durim.
E Majta kërkon publikimin e menjëhershëm të listës së plotë të barnave që mungojnë në sistemin shëndetësor, si dhe të dhënat për numrin e pacientëve të cilëve u është shtyrë terapia. Gjithashtu, partia kërkon realizimin e furnizimeve urgjente me barnat që mungojnë dhe inicimin e procedurave për përcaktimin e përgjegjësisë për rrezikimin e shëndetit të pacientëve. Nga E Majta rikthejnë në aktualitet edhe propozimin për themelimin e një ndërmarrjeje shtetërore për furnizimin dhe shpërndarjen me shumicë të barnave, e cila do të dispononte edhe me një mekanizëm për import urgjent. Sipas kësaj partie, shëndeti i qytetarëve nuk duhet të varet nga interesat komerciale të kompanive private të shpërndarjes së barnave dhe nga procedurat burokratike.


