Pas çdo manifestimi madhështor që lë gjurmë në kujtesën e publikut, qëndrojnë njerëz të përkushtuar, puna e të cilëve shpesh zhvillohet larg vëmendjes së skenës, por që është thelbësore për suksesin e saj. Një nga këta emra është profesoresha Vjollca Abdiu, e cila me përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë e saj për artin e traditën shqiptare dha një kontribut të veçantë në festën e madhe të organizuar në Tetovë në Tetovë në nderë të 28 nëntorit, shkruan Top24
Prej shumë vitesh, prof. Abdiu është pjesë e pandashme e SH.K.A. “Xheladin Zeqiri” në Tetovë, një institucion me rëndësi të veçantë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore e folklorike shqiptare. Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, ajo ka dëshmuar se kultura nuk ruhet vetëm në skenë, por edhe në punën e përditshme, në përgatitjen e brezave dhe në përcjelljen e traditës me dinjitet.
Në përgatitjen e manifestimit, profesoresha Vjollca Abdiu ishte ndër organizatoret kryesore, duke u angazhuar në trajnimin e pjesëmarrësve dhe përgatitjen e skenarit të programit, së bashku me Lindita Emurllain. Puna e tyre e përbashkët, e mbështetur në përkushtim dhe ndjeshmëri artistike, ishte pjesë e rëndësishme e mbarëvajtjes dhe suksesit të kësaj ngjarjeje kulturore.
Kontributi i prof. Vjollca Abdiut është dëshmi se madhështia e një feste nuk matet vetëm me duartrokitjet që marrin artistët në skenë, por edhe me përkushtimin e atyre që e ndërtojnë atë, hap pas hapi, me zemër dhe përgjegjësi.
Ajo mbetet një nga heroinat e heshtura të kësaj feste – një figurë që përmes punës së saj i jep kulturës shqiptare jo vetëm formë artistike, por edhe shpirt, kujtesë dhe vazhdimësi.


