Mexhiti: Provimi i jurisprudencës do të jetë 100% në shqip kur të rregullohet shqipja në gjyqësor

Provimi i jurisprudencës do të mund të mbahet tërësisht në gjuhën shqipe vetëm pasi të rregullohet zbatimi i gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor në Maqedoninë e Veriut. Kështu deklaroi për TV21 bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili sqaroi se pjesa teorike e provimit do të zhvillohet në shqip, ndërsa pjesa praktike, dy provime që ndërlidhen me gjyqësorin, do të vazhdojë të mbahet në maqedonisht. gjyqësore.

“Është çështje tjetër provimi i jurisprudencës, për të cilin u bë pak më shumë zhurmë. Dikush është munduar të krijojë perceptimin se në të kaluarën ka qenë krejtësisht në shqip dhe se tani po bëhet më shumë në shqip e pak në maqedonisht. E vërteta është krejtësisht ndryshe. Ky provim i jurisprudencës, edhe kur ka pasur kryeministra shqiptarë dhe kur shqiptarët kanë pasur numra të favorshëm, ka qenë 100 për qind në maqedonisht. Edhe anëtarët e Komisionit kanë folur maqedonisht dhe provimin e kanë zhvilluar në gjuhën maqedonase, madje edhe eksponentë të lartë të opozitës shqiptare. Për herë të parë ndodh që provimet që i kam numëruar në mënyrë taksative të jepen në gjuhën shqipe. Vetëm dy provime kanë edhe pjesën teorike, edhe atë praktike: e drejta civile dhe e drejta penale. Teoria do të jetë në shqip, ndërsa praktika, për shkak se ka të bëjë me raste konkrete gjyqësore, do të jetë në gjuhën maqedonase derisa të rregullohet gjyqësia, sepse fatkeqësisht ajo ende funksionon në gjuhën maqedonase. Madje, edhe në Tetovë, në gjykatë, ku kryetari i gjykatës, gjykatësi, prokurori, avokati dhe pala janë të gjithë shqiptarë, kanë komunikuar në gjuhën maqedonase. Në momentin që do të rregullohet gjyqësia, automatikisht do të rregullohen edhe ato dy provime praktike. Kjo sa i përket gjuhës shqipe dhe provimeve e licencave, për të cilat foli edhe zoti Rama”, tha Mexhiti për TV21.